15:37, 9 Prill 2020

PD, me anë të nënkryetarit të saj Edmond Spaho, ka kërkuar ndërhyrje emergjente financiare, pasi thotë se rrezikohet mbyllja e dhjetëra mijëra vendeve të punës.

“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që masat shtrënguese për qytetarët nuk i ka shoqëruar me masa të plota lehtësuese për ta. Megjithëse jemi në javën e pestë të shpërthimit të epidemisë, paketa e qeverisë, megjithëse anemike dhe gjysmake, akoma nuk është zbatuar. Biznesi i vogël që punëson me qindra mijëra qytetarë është më i prekuri, pasi pjesa më e madhe është përjashtuar nga paketa e ndihmës”.

Nënkryetari i PD-së u shpreh se kërkesat e biznesit janë njësoj si propozimet e PD-së. Ai tha se qeveria ka para nëse mbështet realisht bizneset, dhe jo koncesionet e oligarkëve.

“Prej të paktën dy javësh i kemi kërkuar qeverisë që të miratojë një paketë tjetër, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Qeveria vepron shumë ngadalë, qeveria jep shumë pak. Edhe përfaqësuesit e biznesit njëzëri kanë kërkuar të veprohet, pasi vonesa e qeverisë në shpalljen dhe zbatimin e një pakete të dytë shtesë po i shtyn ata drejt falimentit dhe mijëra të punësuar drejt papunësisë”.

“Partia Demokratike mbështet plotësisht përfaqësuesit e dhomave të tregtisë, industrisë dhe shoqatat e sipërmarrjes private në Shqipëri në kërkesën unanime për ndërhyrje emergjente financiare, në mënyrë që të dhjetëra mijëra vende pune të mos mbyllen. Kërkesat e biznesit, njësoj si propozimet e bëra prej nesh, janë të ndershme. Ato duhet të dëgjohen nga qeveria”.

“Çdo biznes i prekur nga masat anti-COVID duhet të përfitojë përjashtim apo shtyrje të pagesave për detyrimet fiskale qendrore apo lokale. Qeveria ka para për të realizuar këto kërkesa që mbajnë hapur qindra mijëra vende pune. Mjafton që Edi Rama të sakrifikojë aferat e 10 klientëve të tij me 120 milionë euro koncesione dhe të sakrifikojë shpenzimet e luksit për zyra e fasada”. Spaho tha se qeveria duhet ta miratojë pa vonesë paketën e re. “Çdo ditë që kalon është një ditë pa oksigjen për ekonominë e mijëra familjeve!. Paketa e re duhet të jetë reale, që nuk ka në fokus propagandën, por që ndihmon vërtet biznesin dhe shpëton mijëra vende pune sot në rrezik”./ A2 CNN

Konkurs Pune

Lexo më shumë