Lajmet e fundit
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar në votimin e dytë themelimin e ndërmarrjes së re komunale për menaxhimin e mbeturinave.
Në votimin e parë, propozimi nuk kishte marrë numrin e nevojshëm të votave, pasi i kishin munguar dy vota. Ndërsa në votimin e dytë, themelimi i saj u miratua me 34 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka mirëpritur vendimin, duke thënë se ndërmarrja e re synon të sjellë një qasje të re në menaxhimin e mbeturinave dhe pastërtinë e kryeqytetit, njofton Klankosova.tv.
Problemi i mbeturinave në kryeqytet ka qenë prej kohësh një nga shqetësimet e qytetarëve. Banorët shprehen se presin që ndërmarrja e re të sjellë përmirësime në pastërtinë e hapësirave publike.
Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar themelimin e saj me faktin se ndërmarrja e deritanishme "Pastrimi" që ishte regjionale, sipas komunës, nuk ka arritur të menaxhojë në mënyrë të plotë hapësirën e kryeqytetit, ndër të tjera për shkak të mungesës së pajisjeve dhe numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve.