Lajmet e fundit

Mund të jenë ndër grupet më të përfolura dhe të kritikuara në udhëtimet moderne: pasagjerët që heqin këpucët dhe qëndrojnë zbathur në avion.
Në rrjetet sociale, ku mendimet shpesh ndahen në mënyrë të skajshme, pamjet e tilla arrijnë të shkaktojnë një reagim të rrallë kolektiv.
Herë pas here, një rast veçanërisht ekstrem bëhet viral.
Në tetor të vitit të kaluar, artistja nga Bostoni, Ashley Eisenman, publikoi një video ku tregonte një burrë që, gjatë gjithë fluturimit njëorësh, kishte vendosur këmbën e zbathur në hapësirën pranë sediljes së saj. Këmba e tij ishte vetëm disa centimetra larg krahut të saj, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Pas përvojës, Eisenman shkroi në rrjetet sociale se pasagjeri “duhej të ishte menjëherë në listën e personave që nuk lejohen të fluturojnë”.
Nëse një fluturim njëorësh nga Reno në San Francisko mund të duket i sikletshëm, një udhëtim nëntëorësh nga Cyrihu drejt Nju Jorkut mund të kthehet në një përvojë edhe më të pakëndshme.
Këtë e përjetoi një përdoruese e Reddit-it, e cila publikoi një fotografi të këmbëve të zbathura të një pasagjeri dhe shkroi me shqetësim: “Kam edhe nëntë orë fluturim përpara.”
Dhe problemi nuk kufizohet vetëm te klasa ekonomike.
Faqja në Instagram “Passenger Shaming”, e njohur për publikimin e sjelljeve të pazakonta të udhëtarëve, ka shpërndarë edhe një video ku një grua shihet e shtrirë në shpinë në klasën e parë, me të dyja këmbët e zbathura të mbështetura në murin e avionit.