Lajmet e fundit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve, në Prekaz të Skenderajt.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga prokurori Valdet Gashi.
“Si rezultat i hetimeve, bazuar në prova materiale dhe personale, kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët kanë mbajtur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të forcave serbe".
"Gjithashtu, është arritur të vërtetohet saktësisht se cilat njësi të forcave serbe morën pjesë në këtë sulm, nga cilat pozicione sulmuan, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenali i armatimit të përdorur, si dhe dëmet e shkaktuara në njerëz dhe pasuri", tha Gashi, raporton Klankosova.tv.
Aktakuza është dorëzuar 28 vjet pas ngjarjeve të marsit të vitit 1998, kur forcat serbe sulmuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Sulmi, i zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars 1998, la të vrarë 56 persona, përfshirë 22 anëtarë të familjes së ngushtë të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari./Klankosova.tv