Lajmet e fundit

Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në një objekt ndërtimi në komunën e Drenasit, pasi gjatë inspektimit në terren janë konstatuar parregullësi serioze në fushën e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, subjekti në fjalë nuk kishte marrë masat e nevojshme për mbrojtjen, sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës, transmeton Klankosova.tv.
Për këtë arsye, autoritetet kanë urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve ndërtimore në këtë lokacion, masë kjo që do të mbetet në fuqi deri në sanimin e plotë të të gjitha mangësive të identifikuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e rregullt të punës.
Nga Inspektorati Qendror i Punës theksojnë se mbeten të përkushtuar në mbikëqyrjen rigoroze të zbatimit të legjislacionit në fuqi, duke u bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri standardet e sigurisë për të parandaluar aksidentet dhe rreziqet në vendet e punës.