Lajmet e fundit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me delegacionin e FFK-së, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit, Moshe Zuares, në prag të përballjes Izrael–Kosovë.
Gjatë darkës, sipas Ademit, është zhvilluar një bisedë e hapur dhe miqësore për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, si dhe për të tashmen dhe të ardhmen e ekipeve kombëtare.
“Gjatë darkës zhvilluam një bisedë të hapur e miqësore për zhvillimin e futbollit në vendet tona, si dhe për ecurinë e deritanishme dhe të ardhmen e ekipeve tona kombëtare”, ka shkruar Ademi.
Ai ka bërë të ditur se presidenti i Federatës së Futbollit të Izraelit ka vlerësuar sukseset e Kosovës në vitet e fundit dhe ka theksuar marrëdhëniet mes dy federatave.
“Presidenti Zuares vlerësoi sukseset që Kosova ka arritur në vitet e fundit dhe theksoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy federatave”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, Zuares ka kujtuar edhe përballjet e mëparshme të zhvilluara në Kosovë, duke vlerësuar organizimin dhe mikpritjen e treguar ndaj delegacionit izraelit, si në ndeshjet e Kombëtares A, ashtu edhe të U21.
Në fund të darkës, Ademi dhe Zuares uruan njëri-tjetrin për një ndeshje të mirë dhe në frymën e fair-play-t.
“Uruam njëri-tjetrin për një ndeshje të mirë, të denjë dhe në frymën e ‘fair-play’-t”, ka shkruar presidenti i FFK-së.
Ndërkohë, vëmendja tashmë është te përballja e radhës. Kosova do të përballet me Izraelin të enjten, më 1 tetor, në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.