18:51, 11 Shkurt 2019

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko thotë se protestat e studentëve në Shqipëri ishin shqetësuese sepse ishin një reagim ndaj sistemit politik që është ndërtuar që nga vitet ’90 dhe pasqyronte opinionin publik ndaj politikës shqiptare.

Ministri i Diasporës, që ndodhej në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se samiti për diasporën do të jetë një forum për përfaqësuesit e saj, duke pranuar se shumë nga arsyet për largimin e tyre kanë lidhje me politikën në Shqipëri.

“Mendoj se të gjithë kemi qënë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndjerë i pasigurtë për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetëveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve 90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet 90-të.

Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare”, tha Majko për Zërin e Amerikës.