Lajmet e fundit

Qindra të rinj e të reja i janë bashkuar protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila po mbahet me thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Pjesëmarrja masive e të rinjve ka qenë e dukshme gjatë protestës, ndërsa në mesin e tyre janë parë edhe fëmijë të shoqëruar nga familjarët e tyre, transmeton Klankosova.tv.
Në pamjet nga gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, shihet një vogëlushe mbi supet e një të rrituri, duke iu bashkuar thirrjeve “UÇK, UÇK”, ndërsa një tjetër vogëlush është parë me kapelë me emblemën e UÇK-së.
Një i ri kishte hipur te shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke valëvitur Flamurin Kombëtar.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta nga më të ndryshmet, të gjitha me kërkesa për drejtësi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë dënuar në Hagë, dhe përcollën mesazhe në mbështetje të tyre, ndërsa sheshi “Skënderbeu” vazhdon të jetë i mbushur me qytetarë.