Lajmet e fundit
Pas lindjes, një grua nuk përjeton vetëm një ndryshim fizik, por edhe një transformim të madh emocional dhe psikologjik.
Periudha post partum mund të sjellë gëzim, por njëkohësisht edhe lodhje, ankth, pasiguri e ndryshime humori, transmeton Klankosova.tv.
Gazetarja Mirjeta Morina, në emisionin “Ora Shtatë”, tha se ndryshimi i një gruaje është i madh si gjatë shtatzënisë, ashtu edhe pas.
“Para e ke frikën, ankthin, nëse je gati, nëse di të ia dalësh, nëse mundesh, a është gjithçka në rregull me bebin. Por ajo që më shqetëson mua është se pyetjet janë gjithmonë në drejtim të bebes, pothuajse asnjë nuk është në drejtim të nënës. Edhe ne kemi emocione, kemi gëzim, por kemi edhe dhimbje, dhe nga ne presin të jemi të forta”, u shpreh Morina në Klan Kosova.
Gjinekologu Driton Prenaj, tha se ndryshimi hormonal te një nënë është i menjëhershëm, sidomos gjatë gjashtë javëve të para të lindjes.
“Janë ndryshime të mëdha, të rënda, dhe nuk janë aspak të lehta me u tejkalu, duke shtuar faktin që ke një fëmijë për t’u përkujdesur”, tha ai në emisionin “Ora Shtatë”.
Nga ana tjetër, psikoterapistja Aurora Dollenberg, tha se mentaliteti shqiptar nuk është i parapërgatitur për efektet negative dhe komplikacionet që mund të ndodhin pas lindjes.