Pacolli: Qeveria e dobët, opozita e lodhur NULL NULL 08.08.2015 22:44 08.08.2015 22:44 Ish Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një shkrim në profilin e tij në Facebook ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, dhe vetë kryeministrin Isa Mustafa. Udhëheqësi i Aleancës Kosova e Re, ka kontestuar raportimin e këtij të fundit, në të cilin thuhet se Kosova ka pasur rritje nga investimet e huaja në pesë mujorin e fundit. “Si ka mundësi që vitin që shkoi, investimet e huaja në 5 muajt e parë ishin 29 milionë euro dhe rritja e tyre paska ndodhur periudhën e krizës qeveritare, pra afro 130 milionë euro ishin investuar kur Kosova ishte pa qeveri?”. “Mos vallë punët në Kosovë ecin më mirë kur s’ka qeveri?”, ka pyetur Pacolli. Pacolli ka satirizuar duke thënë se Qeveria e Kosovës ndoshta i quan investime donacionet. Ai ka shkruar edhe për disa tema tjera aktuale në Kosovë, derisa nuk ka lënë pa kritikuar edhe opozitën, që sipas tij, nuk po ndërmerr asgjë. Shkrimi i plotë i Behgjet Pacollit në Facebook: Ditët e fundit kreu i qeverisë doli e foli me të madhe për rritjen e investimeve të jashtme në Kosovë, në 5 mujorin e parë të këtij viti. Po i marr me radhë disa prej sihariqeve të kryeministrit. Po reagoj prej një këndvështrimi thellësisht profesional, duke mbetur i habitur sesi opozita nuk është marrë kurrqysh me këto sihariqe, me këto mburrje të pajustifikueshme. Kryeministri tha se në këto 5 muaj investimet e huaja direkte sipas raportit të Bankës qendrore të Kosovës, janë rritur me afro 160 milionë euro aq sa gjithë vitin 2014, ndërsa në 5 mujorin e parë të 2014-ës, ishin vetëm 29 milionë. Me të drejtë, disa ekspertë të pavarur kontestonin këto të dhëna. Si ka mundësi që vitin që shkoi, investimet e huaja në 5 muajt e parë ishin 29 milionë euro dhe rritja e tyre paska ndodhur periudhën e krizës qeveritare, pra afro 130 milionë euro ishin investuar kur Kosova ishte pa qeveri? Mos vallë punët në Kosovë ecin më mirë kur s’ka qeveri? Në konferencën së bashku me Ministren e Tregtisë, Kryeministri nuk tha se kuj i detyrohet kjo rritje e investimeve të huaja. Me një fjalë nuk shpjegoi se cilat ishin masat, reformat e kësaj qeverie që e kishin përmirësuar klimën e të bërit biznes. Ju referua Parkut Industrial të Drenasit që s’paska më vende të lira, ndërsa për Zonën Ekonomike të Gjakovës tha se s’ka përparim pa u zgjidhur kontesti pronësor. Kush e zgjidh këtë kontest veç qeverisë? Zonën e Lirë të Gjakovës tendenciozisht kjo qeveri e ka bllokuar. Për 200.000 EUR të Zonës së Lirë të Mitrovicës po ashtu vendimi është marrë në Qeverinë e kaluar, pra ka pak hapsirë për të u lavdëruar. Prapë mbetet pyetja se kush qëndron prapa kësaj rritjeje të investimeve të jashtme? Pra cila është struktura e kësaj rritjeje?Sot ndoshta qeveria i quan investime donacionet??? Të dhënat e Bankës Qendrore (raporti 10, i tremujorit të parë, në faqen 9), flasin se në sektorët kryesorë të ekonomisë kemi rënie të numrit të ndërmarrjeve, me përjashtim të një rritje të vogël në bujqësi dhe në teknologji të informacionit. Në faqen 26 të këtij raporti thuhet se peshën më të madhe në rritjen e investimeve direkte të huaja e kanë patundshmëritë, qiradhëniet, shërbimet financiare. Pra edhe nëse statistikat janë të vërteta, këto janë sektorë që s’krijojnë punësim të ri. Ku mbeti riorganizimi i Trepçës të cilin publikisht e premtuat? Ju Qeveri nuk e mbajtët fjalën! Sa i përket Brezovicës që Kryeministri mburret, ishte krejtësisht punë e MTI-së së periudhës së kaluar. Dhashtë Zoti të ketë zhvillime pozitive në këtë projekt dhe mos të fundoset edhe ky si ai i Trepçës! Është krejtësisht e qartë se kjo Qeveri me të dhënat e veta po bën përpjekje për të parë gjysmë plot, një gotë (atë të zhvillimit ekonomik, të rritjes ekonomike), që është duke u zbrazur. Nuk ka reforma të rëndësishme. Agjencia e Privatizimit edhe ashtu e cungët, mbetet një apendiks i shkatërrimit të Kosovës. Nuk ka jetësim të reformave të nisura nga qeverisja e mëparshme. Zonat e Lira Ekonomike mbeten në letër, megjithëse në qeverisje është një parti që i thotë vetes, parti e djathtë. Nuk ka vizion, megjithëse kreu i qeverisë është një teoricien i ekonomisë. E vërteta është se Kosovës i kanë dhënë pak shpirt remitencat dhe pagat e diasporës, pushimet e tyre ne vendlindje! Kosovës i kanë dhënë frymëmarrje dhe disa projekte që filluan në mandatin e kaluar kur vendi jonë nuk posedonte imazhin ndërkombëtar të rrënuar sikur sot dhe kur Kosova ishte aktuale ndërkombëtarisht! Me këtë qeveri s’ka njohje, s’ka interesim prej të huajve pēr Kosovën. Krejt në fund, diçka mjaft e rëndësishme. Opozita vazhdon të merret me çështjen e Tribunalit dhe jo me denoncimin e dështimeve ekonomike të qeverisë që mbulohen me gjethe fiku si kjo konferencë kryeministrore. Kjo është fyerje për qytetarin e Kosovës. Tribunali nuk prodhon dhe as zvoglon mirëqenie. Ai nuk prodhon pasoja negative për qytetarin apo për shtetin e Kosovës, as për sovranitetin e Kosovës, si qahet dikush. Sovraniteti sot nuk është më si ai i shekullit 19, por ndahet me organizata ndërkombëtare. Tribunali mbase prodhon pasoja negative por më së shumti për do individë, që duhet t’i dalin vetes për zot. E opozita që gjoja shqetësohet për sovranitetin e Kosovës, praktikisht po bën propagandë për fatin e individëve dhe i shërben qeverisë që tregon me gisht çfarë opozite ka përballë. Në një fushë bosh si kjo, ka hapësirë për kryeministrin, që ta quajë të zezën të bardhë! *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 12 orë më parë
Kosova “Jam familjare e Kurteshëve, por s’më punësuan ata, u punësova me meritë” (VIDEO) 12 orë më parë