14:11, 31 Maj 2017

Aleanca Kosova e Re që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli në një njoftim për media shkruan se me AKR-në në pushtet do të ketë “punësim për studentët nga dita e parë pas universitetit”, dhe po ashtu “një të punësuar për çdo familje”, njofton Klan Kosova.

Në tubimin e hapjes së fushatës zgjedhore, ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputetë nga radhët e Aleancës Kosova e Re, presidenti i partisë, Behgjet Pacolli, ju bëri thirrje qytetarëve që me datën 11 qershor të dalin dhe ta kryejnë obligimin e tyre qytetar duke votuar për më të mirët.

Ai tha se në këtë datë qytetarët do ta dërgojnë në opozitë koalicionin e frikës e të territ, për t’i hapur rruge koalicionit të shpresës dhe integrimit të Kosovës në Evropë.

“Ndryshimi do të vijë me një qeveri dinjitoze që garanton mirëqenie dhe zotohet që këtë do ta bëjë me punë. Ne do ta ndryshojmë Kosovën me punë, me dashuri, me devotshmëri e me duar të pastra”, tha lideri i AKR-së.

Pacolli theksoi se programi qeverisës i koalicionit AKR-LDK-Alternativa, parasheh që secili person qe përfundon studimet, t’i garantohet punësimi.

“Prandaj rini e dashur ndryshimi, do të bëhet vetëm me punë. AKR është parti e rinisë dhe ne kemi program të veçantë vetëm për rininë”, tha ndër të tjera Pacolli.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë