12:05, 18 Nëntor 2017

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë një intervistë të gjatë për median serbe Telegraf ku ka folur edhe për iniciativën e tij të fundit të Këshillit për Promovimin e Paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Pacolli ka deklaruar se përkundër problemeve në të kaluarën dhe luftës mes dy vendeve ai ende beson në normalizim raportesh dhe pajtim reciprok.

“Unë besoj fuqishëm se do të ketë pajtim dhe se ky rajon do të përcaktohet për paqen, domethënë, duhet ta harrojmë të kaluarën dhe të përqendrohemi në të ardhmen”, pohoi Pacolli, njofton Klan Kosova.

“Dhe cila është e ardhmja? E ardhmja është një vend ku duhet të ndërtohet, ku njeriu mund të lëvizë lirshëm me idetë, kapitalin dhe mallin e tij. Kjo lëvizje do të kontribuojë në përmirësimin e standardeve të jetesës dhe njerëzit një ditë do të mendojnë më pak për atë që ka ndodhur dhe do të lëviznin me vullnetin e tyre. Unë mendoj se ajo ditë nuk është larg, pasi ajo është bërë domosdoshmëri, jo vetëm dëshirë”.

Pacolli ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ish-presidenti i Kosovës u shpreh se ky Asociacion, përkundër se me vonesë, do të formohet.

“Mendoj se do të formohet Asociacioni. Por, ju e dini se kemi një problem të vogël në parlamentin tonë. Tani kemi një problem me demarkacionin me Malin e Zi”.

“Por, mendoj se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të zbatohet nga Beogradi dhe Prishtina”, pohoi, pos tjerash, Pacolli.

Ai ka folur edhe për njohjet e shtetit të Kosovës dhe për rastin e fundit me atë që u raportua në mediat serbe si tërheqje e njohjes nga shteti i Surinamit.

Pacolli pohoi se Kosova nuk ka pranuar kurrëfarë dokumenti nga ky shtet për tërheqjen e njohjes.

Ai është pyetur edhe për atë se a po i mungon Beogradi dhe koha e kaluar në këtë qytet.

Ministri kosovar ka thënë se si i ri kishte udhëtuar jo rrallë në Beograd dhe kur vinte i ndodhte që të rrihej me njerëz, por ka shtuar se ka shumë miq në Beograd dhe do isha i lumtur të vizitoj ata.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë