22:38, 13 Korrik 2020

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka komentuar zhvillimet e fundit në seancën e sotme, për të cilën thotë se është dakord që të miratohet ligji anti-covid, propozuar nga Kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Ai gjithashtu parmes një reagimi në facebook, thotë se e vlerëson qasjen e kryetarit të VV-së Albin Kurti ndaj kreut të LDK-së Isa Mustafa me rastin e prekjes me Covid-19, njofton Klan Kosova.

”E vlerësoj shprehjen kalorsiake të solidaritetit njerëzor të Kryetarit te VV zotëri Kurti me Kryetarin e LDK, Profesor Mustafën me rastin e prekjes se këtij të fundit nga Covid-19”.

”Kësisoj ai kapërceu radhën e idiotëve që kujtojnë se mbi ndjenjat dhe telashet e dikujt mund të thurrin ëndrra për përmbysjet politike të dëshiruara”.

”Shoqëria jonë definitivisht duhet t’i përngjajë (dhe ashtu duhet të sillet) shoqërive te civilizuara. Ne duhet t’i dënojmë rreptësisht çdo fyerje, ofendim e kërcënim, pa marrë parasysh si kane ndodhë dhe nga vinë ato”.

”Jam plotësisht dakord me nevojën për miratimin konsensual të një Ligji anti-covid si e kishte propozuar zonja Osmani dhe Akr e mbështet atë në këtë drejtim”.

”Nga ana tjetër Kryetarja e Parlamentit nuk duhet të mbyllë asnjë derë për të hapur një tjetër. Ajo duhet të përfaqësojë unitetin e çdo faktori ne Kosove.

Dhe diçka tjetër;

Një pjesë të problemeve tona me serbët i atribuohen të ashtu quajturës Pakos së Ahtisarit ku gjendet po edhe zanafilla e shumë problemeve qe kemi me Serbinë. Si dhe pse kane mbetur ato, nuk duhet te debatohet, i takon te shkuarës, por kësaj radhe i bëj thirrje Kryeministrit Hoti të jetë realist dhe të shkojë i përgatitur në negociatat me palën serbe që aq bujarisht po i organizojnë miqtë tanë amerikane dhe franko-gjermanë”.

”Unë do doja që Kryeministri mos të shkoj në bisedime me Serbinë i vetmuar, ai duhet të ketë një Platformë, një grup ekspertesh, të ketë konsultime të rregullta me Presidencën dhe faktorin tjetër politik në Kosovë”.

”Shteti ka vazhdimësi, pavarësisht kush negocion!”

”Madje telashet juridike të Presidentit Thaçi, duhet të përdoren me e forcu pozitën negociale të Kosovës! Çfarë duhet të sakrifikojë akoma Kosova kur presidenti i saj, udhëheqës politik i luftës, thirret në Hagë?”, shkruan Pacolli, njofton Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë