Pacolli: Mustafa ka diskriminuar Kusari-Lilën - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pacolli: Mustafa ka diskriminuar Kusari-Lilën

NULL NULL
10/08/2015
Behgjet Pacolli, lideri i Aleancës Kosova e Re përmes një postimi në Facebook, ka regaur për vizitën e kryeministrit Isa Mustafa në Gjakovë, i cili nuk e ka vizituar edhe të parën e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e tij:

Sot gjithë mediat kryesore të Kosovës kanë bërë me dije për embargon që Kryeministri Isa Mustafa i ka bërë Kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila gjatë vizitës së tij në Komunën e Gjakovës. Ai ka vizituar një ndërmarrje rajonale në komunë, ka vizituar prona të bujqve në komunë, pa zgjedhur të shoqërohet nga vetë Kryetarja e Gjakovës, zëvendëspresidente e AKR-së, dhe Kryetarja e vetme femër në të gjithë territorin e Kosovës.

Arsyetimi i Kryeministrit se kjo vizitë ”ishte e një natyre tjetër”, ishte një justifikim i dobët, sepse ai në raste të ngjashme shoqërohet nga të zgjedhurit vendorë të partisë së tij. Ky ishte një arsyetim jo trimëror i tij, për një akt diskriminues, jo ndaj Mimozës, por ndaj gjakovarëve. Mimoza Kusari Lila është përfaqësuesja e votuar e tyre, në aleancë me LDK-në në asamblenë komunale.

Të vendosësh të mos shoqërohesh prej të zgjedhurës së qytetarëve ndërsa takohesh me qytetarët, me bujqit e ndryshëm të kësaj komune, është diskriminim. Gjakovarët të njohur për frymën e tyre qytetëruese, përbashkuese, por dhe për dinjitetin e tyre nuk do t’ja falin këtë Kryeministrit.

Që Kryeministri e diskriminon Gjakovën, jo thjesht nëpërmjet këtyre formave, e tregon dhe mungesa e mbështetjes së qeverisë për projektet e mbështetura nga donatorë si Bashkimi Europian, etj. Si bëri me dije kryetarja Kusari Lila në intervistën e vet në Radio Dukagjini, janë afro 46 milionë euro mbështetje të donatorëve, të cilat mbeten të bllokuara prej autorizimeve qeveritare.

– A është normale të ndodhë kjo, në kohën kur Kosova, Gjakova ka nevojë urgjente për mbështetje financiare për zhvillim dhe fondet bujare të miqve bllokohen?

– Pse Kryeministri kërkon të fyejë Kryetaren Mimoza Kusari Lila ? Për qëndrimet kritike të AKR-së ndaj qeverisjes së tij?

Kjo që bën AKR, që bëj unë si President i partisë, është pjesë e demokracisë që ne kemi zgjedhur të ndërtojmë. Duke zgjedhur të përgjigjet me injorim, me refuzim, me bllokime fondesh, me kësi sjellje primitive, Kryeministri humb rastin të kontribuojë në frymën e pajtimit që aq shumë i nevojitet Kosovës.

Kosova nuk e ka luksin të krijojë përçarje midis pushteteve, si po bën Kryeministri Mustafa.

Kreu i qeverisë nuk mund të injorojë një komunitet kaq të rëndësishëm që e don demokracinë, zhvillimin ekonomik si gjakovarët, që janë shumë të kënaqur me kryetaren e tyre.

Kryeministri nuk e kupton se një veprim i tillë do të ketë pasoja për imazhin e tij, për mbështetjen e tij elektorale, për qeverisjen e tij.