23:58, 19 Shtator 2019

Analisti politik Rrahman Paçarizi, duke e komentuar intervistën e kandidatit për kryeminsitër nga PDK-ja Kadri Veselit në Klan Kosova, ka thënë se ky i fundit nuk ka folur me gjuhë elektorale.

“Qëndrimet e Kadri Veselit ishin jashtë logjikës elektorale në kuptimin që foli për korrupsionin me terma ndoshta jo krejt konkretë, por me vendosmëri dhe këtu ai rrezikon ta humbasë mbështetjen e partisë së tij”.

“Ai sikur nuk mërzitej shumë nëse do ta humbiste mbështetjen e njerëzve të tij të fuqishëm që eventualisht mund të jenë target i luftës kundër korrupsionit”.

Paçarizi në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se Veseli ka dashur ta paraqesë kauzën e tij për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit si një projekt që mbështetet nga SHBA-të.

“Mua më bëri përshtypje që dukej që këtë fushatën e tij për luftën kundër korrupsionit sikur përpiqej të na bindte ose ta krijonte përshtypjen se ky është projekt i sponsorizuar nga SHBA-të. Në një mënyrë e tha që ky është një projekt i sponsorizuar nga miqtë amerikanë dhe europianë”.

“Në një moment të caktuar, ai [Kadri Veseli] tha që zgjidhja do të jetë e mirë për Kosovën nësë arrijmë t’i përmbushim objektivat në luftën kundër korrupsionit”.

“Ndryshe do të ishte shumë e çuditshme që në fushatë zgjedhore një parti politike që atakohet për krijimin e kulturës së korrupsionit të mund të ishte e pozicionuar në këtë mënyrë. Kur e përmendi mbështetjen amerikane dhe nga disa vende të Europës Perëndimore kjo fushatë bëhet më e besueshme”.

Ai ka thënë se fushatat dinë të jenë të rrezikshme.

“Nëse bëhet një fushatë aty do të kërkohen viktima që të shiten mandej si sukses. Një veprim ku do të viktimizohet dikush në mënyrë që të paraqitet si luftë e suksesshme kundër korrupsionit”.

“Ky është një proces që do të shkojë ngadalë, do të duhen disa vjet”.

Madje, Paçarizi ka deklaruar se kjo fushatë mund të ketë edhe një efekt të kundërt.

“Ka me qenë kontraproduktive, nëse shkohet si fushatë sepse fushatat janë shumë të rrezikshme. Duhet të shkohet gradualisht dhe të ndërtohet kultura e cila e lufton korrupsionin, fillimisht duhet të ndalet korrupsioni dhe nepotizmi”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë