Osmani për Klan Kosova: Dua dhe “Sunny Hill” po kërkojnë liberalizimin e vizave për kosovarët (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Osmani për Klan Kosova: Dua dhe “Sunny Hill” po kërkojnë liberalizimin e vizave për kosovarët (VIDEO)

NULL NULL
05/08/2022

Presidentja Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin Prindonin dhe vajzat Dua dhe Anda, ka shkuar sot në festivalin “Sunny Hill”.

E para e vendit ka treguar në një intervistë për Klan Kosovën se mbrëmë nuk ka mundur ta ndjekë performancën e Dua Lipës për shkak të orarit të gjumit të vajzave të saj.

“Është nata e parë, sepse mbrëmë vajzat e kanë pasur kohën e gjumit, kështu që sot erdhëm pak më herët, pas një takimi jashtëzakonisht të mirë që e kishim së bashku me Duan dhe familjen e saj, ku pata mundësinë që t’i ndaj titullin ‘Ambasadore Nderi’ e Republikës së Kosovës për gjithë nderin që i ka bërë vendit të saj gjatë gjithë veprimtarisë së saj artistike dhe që po vazhdon të jetë zëri ynë në botë, duke dërguar mesazhe që janë në të mirë të gjithë Republikës së Kosovës dhe në veçanti rinisë së saj. Edhe një herë dua ta falënderoj për gjithçka çfarë ka bërë dhe natyrisht edhe sot jam e sigurt se e gjithë rinia, jo veç e Prishtinës, por e gjithë Kosovës, dhe nga mbi 50 vende që kanë ardhur këtu, do të kënaqen në këtë festival të jashtëzakonshëm që e ka shndërruar Kosovën në kryeqendër kulturore gjatë kësaj periudhe”.

Osmani ka thënë se ka shkuar në “Sunny Hill” për ta parë nga afër atmosferën dhe për ta përkrahur mesazhin e këtij festivali.

“Jemi këtu për ta përkrahur edhe mesazhin që e jep festivali dhe për ta parë atmosferën. Dua dhe ‘Sunny Hill Festival’ janë siguruar që nëpërmjet motos së tyre, që sivjet është ‘Set me free’, të kërkojnë nga Evropa që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën. Ky proces, i cili është vonuar shumë, e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë vendin tonë, por nga ai më së shumti ka pësuar rinia jonë. Edhe sot i bashkojmë zërat në këtë mesazh që më në fund qytetarët tanë të jenë të lirë në lëvizjen e tyre dhe në të njëjtën kohë jemi bashkë me rininë tonë të mrekullueshme që na jep vetëm energji pozitive”.