Osmani: Jam në dispozicion të kauzës për shtet të së drejtës

Osmani: Jam në dispozicion të kauzës për shtet të së drejtës

NULL NULL
1 month më parë

Prokuroria e Shtetit të premten ka organizuar Konferencën Vjetore të Prokurorëve virtualisht ku ndër pjesëmarrësit ishte edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se shteti ligjor dhe i së drejtës është parakusht për funksionimin e shteteve demokratike dhe shoqërive të hapura derisa u zotua që do të jetë në shërbim të një shteti të drejtë, njofton Klan Kosova.

“Si presidente në detyrë dhe përgjatë gjithë karrierës sime, kam kërkuar vetëm shtet të së drejtës, rend dhe ligj. Tani, i gjithë kapaciteti im institucional e profesional, është në dispozicion të kësaj kauze. Do të jem aleati juaj kryesor, për aq sa kam kompetenca kushtetuese, për t’u ndihmuar në këtë drejtim”.

Osmani ka thënë se përkundër angazhimit dhe rezultateve të mira, raportet ndërkombëtare vazhdojnë të ofrojnë rekomandimet e veta për të përmirësuar performancën dhe kësisoj edhe rezultatet e punës së institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë këtu edhe Prokurorinë, prandaj duhet përpjekur drejt përmirësimit.

“Puna e një prokurori është punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit tonë, prandaj të gjithë ne, qoftë përfaqësuesit e institucioneve por edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë, duhet të ofrojmë kontributin tonë maksimal për të siguruar institucione të pavarura, kredibile e profesionale të cilat luftojnë krimin e korrupsionin, ruajnë integritetin institucional e mbi të gjitha e bëjnë Republikën tonë një vend të dëshirueshëm për të rritur fëmijët tanë”.

“Dihet se është parim fundamental për një shtet demokratik që prokurorët dhe sistemi gjyqësor dhe prokurorial të jenë të paanshëm, të pavarur dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve prokuroriale. Gjykatësit dhe prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç faktit që duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të njëjtit edhe në publik të kenë perceptimin dhe besimin e qytetarëve dhe publikut se të njëjtit janë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare”.

“Prandaj, integriteti i prokurorëve është bazament i punës së tyre, bashkë me profesionalizmin dhe etikën e punës. Prandaj, dua t’ju përcjell mesazhe inkurajimi për punë të mëtutjeshme, duke u treguar të pakompromis ndaj shkelësve të ligjit”.

Osmani ka thënë se jetesa në një kohë dinamike është me rëndësi që edhe puna e Prokurorisë të jetë e shpejtë, efikase e veprimet të ndërmerren në kohë.

“Duke vepruar menjëherë e pa vonesa, ne mbrojmë jetën e qytetarëve tanë, garantojmë jetë familjare pa dhunë, mundësojmë zhvillim normal të punës në institucione e përfundimisht ofrojmë garancinë e të jetuarit në një vend ku sundon ligji dhe askush tjetër”.

“Ngritja e mëtutjeshme e kapaciteteve profesionale e logjistike, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, janë disa nga aspektet tjera me rëndësi jetike për zhvillim edhe të mëtutjeshëm të Prokurorisë sonë. Ndarja e përvojave mes institucioneve, sidomos atyre të drejtësisë, mundëson rritje të efikasitetit dhe koordinim më të mirë në luftë kundër krimit. Në anën tjetër, investimi në ngritje të kapaciteteve profesionale dhe logjistike e administrative, padyshim se do të rris nivelin e profesionaizmit, angazhimit dhe rezultateve të përgjithshme të këtij institucioni”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ministri i Drejtësisë në detyrë, Selim Selimi, Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog dhe të tjerë.