Lajmet e fundit
Asosacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur sot konferëncë për media në lidhje me protestën që do ta organizojë me 1 shtator para qeverisë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se komunat janë detyruar të paguajnë padrejtësisht obligime financiare të shkaktuara nga kontratat kolektive të cilat siç tha ai nuk ishin nënshkrues të tyre, transmeton klankosova.tv.
Ai tha se këto obligime kanë shkaktuar barrë buxhetore në komunat e Kosovës.
"Komunat përmes proceseve gjyqësore do të detyrohen që për vitet 2023, 2024 dhe 2025 sërish të paguajnë pasoja të tilla, ani pse nuk janë nënshkruesit dhe për më keq e kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese i cili nuk është respektuar nga niveli qendror. Çështja e tretë është financimi i arsimit parauniversitar, në vitin 2027 që edhe pak muaj kanë mbetur për t'u futur në vitin 2027 do jenë mbi 3 mijë e 100 mësimdhënës më pak në drejtoritë të Arsimit të komunave të Kosovës, pra është një planifikim jo i mirë i uljes së numrit, apo thënë më drejtë ulje e menjëhershme çka do të shkaktojë pasoja buxhetore deri në masën prej 24 milionë euro për komunat e Kosovës. Kjo shumë mund të shkojë edhe më shumë për faktin që gjithë këta 3 mijë e 100 mësimdhënës të shkollave të arsimit parauniverstar, kanë kontrata pune shumica e tyre të përjetshme çka do të detyrohen secili prej tyre ta dërgojë lëndën në gjyq dhe sërish krijohen obligime që duhet t'i paguajnë komunat padrejtësisht për pasojat e moszbatimit të legjislacionit dhe planifikimit të mirë që bëhen nga niveli qendror", tha ai.