Lajmet e fundit

Numrimi për së mbrapthi ka nisur edhe në Oslo të Norvegjisë, ku mërgata shqiptare po jep mbështetje të fuqishme për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në prag të 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi përfundimtar në Hagë.
Aktiviteti, i organizuar nga përfaqësues politikë, veprimtarë, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Norvegji, synon të përcjellë mesazhin për drejtësi dhe solidaritet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, i cili falënderoi mërgatën për mbështetjen dhe mobilizimin e saj.

Sipas Tashollit, mesazhi që po përcillet nga Kosova dhe diaspora është i njëjtë: shqiptarët janë të bashkuar në pritje të drejtësisë dhe të kthimit në atdhe të atyre që, sipas tij, morën përgjegjësi në periudhat më të vështira të vendit.
“Ora e Pritjes” në Oslo i është bashkuar kështu aktiviteteve të ngjashme që po zhvillohen në qytete të ndryshme të Kosovës dhe në diasporë, ndërsa po afrohet 16 shtatori.
Platforma “Liria ka Emër” ka bërë thirrje për vazhdimin e mobilizimit dhe mbështetjes deri në ditën e vendimit.
“Edhe pak ditë. Edhe pak orë. Kosova dhe mërgata po presin bashkë. Më 16 shtator, presim drejtësi. Presim liri”, thuhet në njoftimin e platformës.