Numri i vdekjeve në Spanjë rritet, frikë se po nis vala e dytë e virusit

Numri i vdekjeve në Spanjë rritet, frikë se po nis vala e dytë e virusit

NULL NULL
6 muaj më parë

Numri i vdekjeve ditore nga koronavirusi në Spanjë u rrit të enjten në nivelin më të lartë brenda një jave, derisa autoritetet paralajmëruan se një valë e dytë e shpërthimit të virusit është e mundur pasi një studim mbarëkombëtar i antitrupave tregoi se rreth 5 për qind e popullsisë e kanë kontraktuar virusin.

Shifra e vdekjeve nga Covid-19 – që raportohet çdo ditë – është rritur të enjten në 217 nga 184 sa ishte një ditë më parë. Numri i vdekjeve është rritur mbi 200 për herë të parë që nga 8 maji.

Shefi i Emergjencave Shëndetësore Fernando Simon ka thënë se arsyet për rritjen e numrit të infeksioneve akoma nuk dihen.

Por, më shumë se gjysma e vdekjeve të reja që janë konfirmuar janë në rajonin e Katalonisë.

“Ne tani jemi duke punuar në këtë rajon për të identifikuar datat e vdekjeve dhe për të vlerësuar më pas nëse këto janë viktima të reja nga koronavirusi, apo ka pasë një vonesë në përditësimin e të dhënave”, ka thënë Simon.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga Covid-19 në Spanjë u rrit në 27,321, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara u rrit të enjten në 229,540.

Testimi i antitrupave të 60,000 njerëzve në Spanjë tregoi që deri në 2.3 milionë njerëz e kishin koronavirusin.