Lajmet e fundit

Christa Pike, e dënuara me vdekje në Tennessee të SHBA-së, ndodhet në gjendje kritike, pa vetëdije dhe e lidhur me respirator, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.
Pike, 50 vjeçe, iu administruan dy doza të pentobarbitalit më 30 shtator, por ekzekutimi nuk përfundoi, shkruan BBC.
Avokatët e saj kanë deklaruar në një kërkesë urgjente në gjykatë se të dy krahët e Pike ishin të enjtur, të djegur dhe me flluska pas administrimit të ilaçit.
Sipas tyre, problemet me vendosjen e linjave intravenoze mund të kenë bërë që pentobarbitali të depërtonte në indet përreth, në vend se të hynte plotësisht në qarkullimin e gjakut, transmeton Klankosova.tv.
Dëshmitarët e ekzekutimit thanë se Pike vazhdonte të merrte frymë edhe pas dy dozave. Ata raportuan se ajo mund të dëgjohej duke qarë, duke marrë frymë me vështirësi dhe duke gërhitur.
Avokatët e saj pretendojnë se ekipi i ekzekutimit nuk e kuptoi se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet.
Reagimet
Në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë po raportohet në vazhdimësi, gjithashtu ka pasur reagime të ndryshme që shprehnin qëndrimin e tyre kundër dënimit me vdekje. Së fundmi ka reaguar edhe shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, I cili e ka dënuar ekzekutimin e dështuar të Christa Pike në Tennessee, duke e cilësuar vuajtjen e zgjatur fizike dhe psikologjike nga përpjekjet e përsëritura për ekzekutim si “mizore dhe të papranueshme”.
Türk ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi drejtësinë e gjyqit të Pike, duke thënë se këto shqetësime e bëjnë edhe më problematike një përpjekje tjetër për ekzekutimin e saj.
Ai përsëriti qëndrimin e OKB-së kundër dënimit me vdekje, duke deklaruar se “dënimi me vdekje nuk ka vend në asnjë shoqëri”.
Nëntë ekspertë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut iu bashkuan thirrjes, duke kërkuar që shteti i Tennessee ta shndërrojë menjëherë dhe përfundimisht dënimin me vdekje të Pike në burgim të përjetshëm.
Sipas tyre, dy përpjekjet e dështuara për ekzekutimin përbëjnë shkelje të rëndë të ndalimit të torturës dhe të së drejtës për jetë, duke rritur thirrjet për ndalimin e dënimit me vdekje.
Si mbijetoi gruaja amerikane nga injeksioni vdekjeprurës dhe çfarë ndodhi gjatë dy orëve në dhomën e ekzekutimit?
Ekzekutimi i Christa Pike në Tennessee nuk u krye, pasi ajo i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit dhe më pas u dërgua në spital. Gazetarët e Associated Press, të cilët dëshmuan ekzekutimin e dështuar, kanë publikuar detaje nga dhoma e ekzekutimit.
Pike, e dënuar me vdekje për torturimin dhe vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995, para fillimit të injeksionit vdekjeprurës tha se ishte e qetë.
Sot ajo është 50 vjeçe, ndërsa në kohën e vrasjes ishte 18 vjeçe. Ajo pritej të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh.
Sipas AP-së, Pike ishte e lidhur në barelë dhe kishte një linjë intravenoze në dorë kur, në orën 19:27, zyrtarët e burgut ngritën perden që ndante dhomën e ekzekutimit nga dëshmitarët.
Rreth orës 19:30, asaj iu dha mundësia të bënte deklaratën e fundit. “Jam gati të jem e lirë. Kjo është një ditë e lumtur”, tha Pike.
Këshilltari i saj shpirtëror qëndroi pranë barelës, foli me të dhe këndoi një këngë ku përsëritej fraza “Të dua”. Pike ngrinte kokën, shikonte përreth dhe buzëqeshte. Më pas tha se i dhembte krahu dhe pyeti një zyrtar të burgut nëse duhej të ndihej kështu.
Në orën 19:46, perdja u ul. Tri minuta më vonë ajo u ngrit sërish, pasi protokolli i Tennesseet parashikon një dozë të dytë të pentobarbitalit nëse i dënuari nuk ka vdekur pas dozës së parë.
Pas dozës së dytë, Pike filloi të nxirrte tinguj të ngjashëm me gërhitjen, por vazhdoi të merrte frymë. Kjo gjendje zgjati rreth një orë.
Avokati i saj, Randy Spivey, tha se rreth orës 20:22 kërkoi qasje në telefon për të kontaktuar avokatët e tjerë të ekipit dhe kërkoi ndërprerjen e ekzekutimit dhe ofrimin e ndihmës mjekësore.
Rreth orës 20:50 mori konfirmimin se ambulanca ishte nisur, ndërsa automjetet e zjarrfikësve dhe emergjencës mbërritën para burgut rreth orës 21:14.
Departamenti i Burgjeve në Tennessee deklaroi se kishte vepruar sipas protokollit, ndërsa nuk shpjegoi se çfarë kishte shkuar keq. Guvernatori Bill Lee urdhëroi një rishikim të procedurës dhe shtyu një ekzekutim tjetër të planifikuar për më vonë gjatë këtij viti.
Nëna e viktimës, May Martinez, kishte udhëtuar drejt Nashville për të dëshmuar ekzekutimin. “Nuk mora drejtësi për vajzën time”, tha ajo për AP, duke shtuar “kjo nuk është drejtësi për Colleen”.
Ndryshe, mjekët tani po mundohen t’ia shpëtojnë jetën njeriut që i shpëtoi dy dozave me injeksione vdekjeprurëse.