Lajmet e fundit

Piloti indian Smit Machchhar ka treguar se hapi derën e kabinës së një avioni të Flydubai, pasi u sulmua nga bashkëpiloti, në përpjekje për të lejuar pasagjerët të hynin dhe të ndihmonin në ndalimin e rënies së avionit.
Duke folur gjatë një video-thirrjeje me kryeministrin indian Narendra Modi, Machchhar tha se ndodhej i shtrirë në dysheme dhe ishte ende duke u sulmuar nga bashkëpiloti, kur kuptoi se avioni po humbiste me shpejtësi lartësi.
“Po qëndroja i shtrirë në dysheme, i lënduar, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, tha ai.
Avioni, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, humbi më shumë se 5 mijë metra lartësi rreth dy orë pas nisjes. Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit arritën ta mposhtin personin që po sulmonte pilotin dhe të merrnin sërish kontrollin e situatës, ndërsa avioni u devijua drejt Arabisë Saudite dhe u ul i sigurt, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Isha duke luftuar për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin”, tha Machchhar.
Piloti fillimisht u dërgua në një spital në Tabuk të Arabisë Saudite, ndërsa më pas u transportua me avion drejt Abu Dhabit. Ambasada e Indisë në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftoi se ai është në gjendje të mirë dhe po rikuperohet.
Kryeministri Modi e vlerësoi guximin dhe vendimmarrjen e shpejtë të pilotit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar atë si “hero të vërtetë”.
“Po e shoh këtë plagë jo si një plagë, sepse kjo do ta bënte edhe më të vështirë rikuperimin tim. Po e shoh si një udhëtim që po vazhdon ngadalë dhe do të marrë kohë, por jam i bindur se do të rikuperohem dhe do të jem sërish i aftë dhe i shëndetshëm”, tha Machchhar.