21:10, 6 Dhjetor 2019

Tapeti ose moketi është një element shumë i rëndësishëm në kompletimin dhe arredimin e shtëpisë, por herë pas here ai bëhet pis dhe duhet larë ashtu siç lani veshjet e tjera. Por para se ta çoni në pastrim kimik, provoni këto truke.

Kripa

Kripa është një armë e dobishme kundër njollave. Ajo thith lagështinë nga fibrat e tapetit. Kjo është e rëndësishme sepse lagështia shkakton dekolorim të fibrave të tapetit. Së dyti, kristalet e kripës kanë vetit të buta abrazive të cilat heqin njollën nga tapeti. Thjesht hidhni pak kripë tek njolla, fërkojeni butësisht, lëreni për disa minuta derisa të thahet njolla, pastaj pastrojeni me fshesë me korrent. Kripën gjithashtu mund ta kombinoni edhe me ujë soda ose uthull të bardhë.

Detergjent enësh

Detergjenti i lëngshëm me të cilin lani enët meriton një vend nderi në kuzhinën tuaj, sepse funksionon edhe kundra njollave të tapetit. Hidhni disa pika në ujë të ngrohtë, futeni në një shishe spray dhe spërkateni me shumicë në zonën e njollosur. Fërkojeni zonën me një furçë ose copë të butë. Detergjenti i enëve është veçanërisht i dobishëm për të larguar njollat e yndyrës. Mund ta shpëlani lehtësisht duke e përthithur me një leckë të zhytur në ujë të pastër.

Shkumë rroje

Mund të duket e çuditshme, por funksionon. Aplikoni pak shkumë rroje në zonën e njollosur, lëreni për 30 minuta ose gjithë natën, më pas hiqeni duke e fërkuar me një leckë të lagur. Funksionon shumë mirë për njollat si ato të kafesë.

Ujë i oksigjenuar

Uji i oksigjenuar është një nga metodat më efikase për largimin e njollave nga tapeti. Spërkatni ujë të oksigjenuar në zonën e njollosur, më pas fërkojeni njollën me një furçë ose leckë. Nëse doni që të përthithet më mirë nga fibrat e tapetit, krijoni një masë të ujit të oksigjenuar (peroksid hidrogjeni) me pak niseshte ose tartar. Fërkojeni, lëreni të thahet dhe largojeni me fshesë me korrent. Uji oksigjenuar gjithashtu dezinfekton dhe higjienizon, kështu që është pastrues i një spektri të gjerë.

Sodë buke

Nëse të vegjlit ose kafshët shtëpiake vjellin në tapet, soda e bukës është aleati juaj më i mirë. Në fillim pastrojeni zonën me sa mundeni, më pas spërkasni sodë buke dhe fërkojeni me një leckë ose peshqir letre. Pasi të thahet, pastrojeni me fshesë me korrent. Soda e bukës jo vetëm që heq njollat, por dezinfekton tapetin. Të njëjtën procedurë mund ta përdorni edhe kur kafshët shtëpiake urinojnë në tapet.

Aceton

Në rast se bëhet fjalë për njolla boje, është mirë të veproni shpejt, para se ajo të kthehet në një njollë të përhershme. Dhe produkti më emergjent që kemi në shtëpi është acetoni  thonjve. Lagni zonën e njollosur me aceton, më pas fërkojeni me një furçë ose sfungjer derisa të largohet. Edhe holluesit e bojërave dhe benzina janë mjete të emergjencës që funksionojnë në këtë rast.

Konkurs Pune

Lexo më shumë