Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Një shëtitje në historinë e rokut botëror dhe kosovar me Agron Shalën

NULL NULL
nga Lum Gashi 28.06.2025 17:42

Se si ia prek nervin në sekond Agron Shalës po e pyete diçka për rokun.

Një pyetje rasti nis një ortek përgjigjesh nga ai. Një natyrë e qetë porsi Beatlesi i heshtur, George Harrison, por që ngazëllimin e pasionin e Shalës për këtë zhanër e vëren në vëllimin dhe përmbajtjen e këtyre përgjigjve.

Vetë muzikant i shquar e virtuoz, por po e pyete për rokun, merr menjëherë trajtën e shkollarit duke derdhur dijen e tij enciklopedike mbi rokun në tryezën e diskutimit.

Me të u ulëm virtualisht për të diskutuar mbi perandorinë e rokut në muzikën botërore për pothuajse dy dekada të mira, dhe një historik të shkurtër të atij Kosovar, dhe mbi krahasueshmërinë e tij me rokun në nivel global.

Roku në botë. Një historik dhe një histori ndikimi

Pas Luftës së Parë Botërore, xhazi amerikan pushtoi Evropën. Pak më vonë, me zhvillimin e teknologjisë së radios dhe me qasjen më të lehtë dhe më të lirë në këtë mjet komunikimi, në Perëndim gjen vend edhe muzika latino-amerikane, veçanërisht tangoja.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika ishte shteti më i fuqishëm në aspektin ekonomik dhe ushtarak në botë. Produktet amerikane u bënë më të kërkuarat, përfshirë muzikën. Por, kjo luftë e ndau Evropën në dy blloqe: në bllokun kapitalist dhe atë komunist. Komunizmi, për të kufizuar ndikimin kulturor amerikan, eksperimentoi me ritmet e tangos, si një formë e re e muzikës së popullarizuar (apo muzikës zbavitëse, ose të lehtë, siç quhej dikur, gjoja për ta dalluar nga muzika serioze – një term tjetër i shpikur në vendet komuniste). Kështu, p.sh., në Shqipëri, këngët e para të Rudolf Stambollës ishin në stilin e tangos. Në atë ritëm janë edhe këngët e para “të lehta” të incizuara në Kosovë. Por, meqë nuk ishte e lehtë të krijohej një muzikë me origjinë të huaj pa u rritur dhe brumosur me atë muzikë, pushteti, për të krijuar një fond të ri muzikor, lejoi plagjiaturën. E njëjta vlen edhe për Kosovën dhe ish-Jugosllavinë: dominonin ritmet e tangos. Këngët përpunoheshin, evidentohej zakonisht emri i tekstshkruesit dhe aranzhuesit, dhe kënga lansohej në radio.

Po ai në Kosovë?

Meqë në fillim të viteve ’50 të shekullit XX Jugosllavia hoqi dorë nga realizmi socialist, ajo u bë më e hapur ndaj ideve të Perëndimit, natyrisht nëse ato nuk rrezikonin regjimin. Kështu depërtuan edhe shlageri gjerman, kansonat italiane (sepse ndikim të madh kishin televizionet italiane), madje edhe rokënroli. Por, nuk mund të flitet për ndonjë krijimtari origjinale.

Në vitet ’60 të shekullit XX u formuan grupet e para rok në Kosovë: Marimanga në Prizren, Fan në Mitrovicë, Blue Stars në Prishtinë, The Lord në Ferizaj, pastaj Farazimus në Gjakovë etj. Por, gjurmë me incizime nga ajo kohë ka lënë vetëm grupi Marimanga dhe, nga ajo që dëgjojmë, bëhet fjalë për këngë të huaja: “Vogëlushja Keti” është kënga “Piccola Katy” e grupit italian Pooh, apo “Netët në satenin e bardhë” është kënga “Nights in White Satin” e grupit anglez The Moody Blues. Pra, kishte grupe roku, por jo edhe repertor origjinal – jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë e cila investonte shumë në këtë muzikë duke mundësuar madje incizime në studiot prestigjioze të Londrës (të grupeve që këndonin në serbokroatisht), me shpresën se ndonjë grup i tyre do të arrinte famë botërore. Por, kot. Natyrisht, përjashtim më vonë bëri grupi slloven Laibach i cili, pa ndihmën e shtetit, tërhoqi vëmendjen e Perëndimit. Në fakt, ishte censura e shtetit dhe disidenca e anëtarëve të grupit që i nxori ata në pah.

https://www.udiscovermusic.com/wp-content/uploads/2019/11/Nights-In-White-Satin-Moody-Blues.jpg

Rokënroli evoluoi shpejt në vitet ’60 të shekullit XX – në rok, folk-rok, surf-rok, bluz-rok, rok psikodelik, barok-rok, hard-rok, latin-rok dhe në fillim të viteve ’70 në glem-rok dhe rok progresiv e pak më vonë në pank dhe valën e re. Ishte pra e pamundur të përvetësohej si duhej një muzikë që në fakt ishte përfaqësuese e një lëvizjeje të re shoqërore, e një rinie që për herë të parë në histori po impononte vendimet dhe vlerat e veta. E, në komunizëm, diçka e tillë ishte e pamundur. Nëse ish-Jugosllavia e lejoi rokun, e ndaloi frymën që e karakterizonte atë muzikë. Sepse roku është rebelim, është anti-establishment, dhe diçka e tillë nuk lejohej në ish-Jugosllavi, e aq më pak në Shqipëri ku grupet e para rok u formuan vetëm në vitet ’90 të shekullit XX.

Shumëkush sot arsyetohet se ishin barrierat gjuhësore ato që gjoja penguan daljen në pah apo përhapjen në Perëndim të krijimtarisë së grupeve të dikurshme në ish-Jugosllavi, përfshirë Kosovën. Por, si shembull mund të marrim Gjermaninë Perëndimore, e cila në vitet 1960-’70 krijoi një zhanër unik dhe eklektik që edhe sot frymëzon krijuesit anembanë botës: krautrokun! Dhe, kjo ishte e mundur falë rinisë që kundërshtonte konservatorizmin gjerman dhe që kërkonte ballafaqimin me të kaluarën naziste. Rokerët ishin kundër Vëllait të Madh, ishin për barazimin e individit me institucionin, dhe diçka e tillë në shtetet komuniste ishte e pamundur. Pastaj, roku lindi në shtete përparimtare, të pasura dhe demokratike ku sundonte fjala e lirë, sinqeriteti, ndërsa në Ballkan apo kudo tjetër në bllokun komunist, vendet vuanin nga mitomania, pra nga shtrembërimi i realitetit. Kështu, shumë rokerë të dikurshëm, qoftë në Kosovë apo në vendet e tjera në rajon, flasin për gjoja censurim të teksteve të tyre (ose, ndodh që të interpretojnë metafora të cilat gjoja ishin kundër sistemit), por në fakt ka pasur vetëm redaktim të teksteve, sepse të gjithë ata i karakterizonte autocensura.

Grupi 403
Grupi 403

Impakti kulturor, “politik” e identitar i rokut në Kosovë. Sa, dhe nëse po, si është i krahasueshëm ky impakt me atë të rokut në botë/Perëndim?

Natyrisht, duhet të vlerësohet kontributi që dhanë rokerët e parë në Kosovë, sepse ata tentonin të ishin në hap me kohën dhe të sillnin vlera të reja. Këtu nuk duhet harruar, p.sh., ish-anëtari i grupit Fan, Nexhat Macula, dhe grupi i tij i mëvonshëm TNT. Ata ndihmuan në krijimin e një skene roku që lulëzoi në vitet ’80 të shekullit XX me grupet shumë kreative, si 403, Gjurmët, Minatori, Ilirët, Telex, Seleksioni 039, Vivien (Violeta Rexhepagiqi), Lindja, Fillimi i Fundit, Babillon etj. me muzikë dhe tekste vërtetë të vlefshme, për çfarë dëgjohen edhe sot. Në shtator të vitit 1982 u mbajt edhe festivali i parë i rokut në Kosovë, “Boom”, dhe po ashtu filluan eksperimentimet me valën e re, xhazin, zhanrin alternativ, elektronikën, muzikën etnike etj. Por, cili ishte ndikimi i tyre? Në vitet ‘80 ishte i madh, mbi të gjitha falë Radio Prishtinës që promovonte këtë muzikë dhe po ashtu revistat e asaj kohe, si “Zëri”.

Kjo ishte muzika që dominoi rininë e asaj kohe. Vendi kishte shumë grupe roku, skenë të mirëfilltë roku. Për herë të parë po krijohej një konkurrencë, sepse kishte ambicie. Fatkeqësisht, në fund gjithçka doli të ishte një flluskë. Me mbylljen e Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1990 dhe me daljen e produksioneve private muzikore, filloi të dominojë muzika komerciale – tallavaja. Roku mbeti në margjina dhe shumica e rok-grupeve u shuan ose anëtarët e tyre u shpërndanë nëpër botë. Dolën shumë grupe të reja, që përqafonin zhanrin metal, me kitaristë virtuozë, por nuk kishin hapësirë për t’u promovuar. I vetmi grup që i mbijetoi asaj kohe (viteve ’90 të shekullit XX), me rok, ishte grupi Minatori. Shumë grupe të tjera, si Ilirët apo TNT, iu bashkuan rrjedhës së komercializmit.

Pse duket sikur muzika aktuale në vend, ato dominuese, pop dhe rep, nuk po e kanë fuqinë (besa as interesin) të marrin një rol më aktivist në raport me politikën, siç e kishte roku?

Pas çlirimit të vendit, u krijuan shumë grupe të tjera të reja të mira. Por, kush mund ta mbajë një koncert me repertor origjinal? Janë pak grupe, si 403, Minatori apo grupi Jericho (dikur edhe Troja). Janë disa grupe të reja, si Zwada, që bëjnë tezga me repertor të vetin, por prapë numri i tyre është i vogël dhe kjo flet shumë; tregon se rokerët kanë pak ndjekës, paçka që roku është muzikë e angazhuar dhe vërtet kërkon një thellësi në krijimtari. Dhe, si dikur, nuk mund të kenë ndikim në rrjedhat shoqërore dhe politike të vendit.

Grupi Jericho publikon këngën 'Ali Pasha i Janinës' – KultPlus
Bendi “Jericho”

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.