Lajmet e fundit
Një kafe me logon e UÇK-së - kështu po servohet sot kafeja në sheshin e Prishtinës, ku po mbahet edicioni i 10-të, jubilar, i Festivalit të Kafes dhe Çajit.
Në një lidhje direkte për “Ora 7”, nga festivali u bë e ditur se hapësira e Prince Caffe është stolisur me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa për protestuesit që do t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga ora 16:00, është përgatitur një pritje e veçantë.
Baristi i Princ Caffe, Jetmir Maliqi, tregoi se protestuesit do të kenë mundësi të shijojnë kafen e tyre, e cila do të shërbehet me një simbol të veçantë të krijuar në të.
Ai tregoi gjithashtu se interesimi për Festivalin e Kafes dhe Çajit vazhdon të jetë i madh, ndërsa këtë vit festivali ka sjellë produkte dhe shije të ndryshme, përfshirë edhe kafen turke.
Një pjesë e punimeve të ekspozuara i janë kushtuar UÇK-së, ndërsa baristi tregoi se kjo lidhet edhe me historinë e tij familjare, pasi, siç tha, vëllai i tij ka qenë dëshmor.
Kështu, për qytetarët që do të kalojnë sot në shesh, por edhe për protestuesit që pritet të mblidhen nga ora 16:00, kafeja po shërbehet mes atmosferës së festivalit dhe simbolikës së UÇK-së.