Lajmet e fundit

Opinionisti Vehbi Kajtazi ka deklaruar se Kosova po përballet me një situatë të pazakontë institucionale dhe kushtetuese.
Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Kajtazi tha se nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti, vendi rrezikon të mbetet pa institucione funksionale dhe pa një autoritet që mund të përcaktojë datën e zgjedhjeve, transmeton Klankosova.tv.
“Po mbërrijmë në një situatë të pazakontë, kur vendi mbetet pa institucione, pa president, vendi mbetet pa mundësi të interpretimit kushtetues”, deklaroi Kajtazi.
Ai ngriti gjithashtu çështjen se kush do të ketë kompetencë për të caktuar datën e zgjedhjeve nëse situata institucionale vazhdon edhe në ditët në vijim.
“Kush vendos për datën e zgjedhjeve pas një jave? Zonja Haxhiu nuk është më presidente. Nuk është. Nuk është as ushtruese e detyrës së presidentes”, tha ai.
Sipas Kajtazit, kjo situatë përbën një krizë të thellë kushtetuese, të cilën ai e cilësoi si “anarki kushtetuese”.
“Pra ne arrijmë në një situatë që nuk ka as shpjegim, përveç një anarkie kushtetuese të cilën e ka synuar dhe arritur Albin Kurti, dhe në këtë situatë ai do të vazhdojë të luajë me subjektet e tjera politike”, u shpreh Kajtazi.