8:30, 30 Qershor 2020

Një lloj i ri i gripit që e ka potencialin e pandemisë është identifikuar nga shkencëtarët në Kinë.

Ky grip është shfaqur së fundmi dhe bartet nga derrat, por mund të infektojë njerëzit – thonë ata.

Studiuesit janë të shqetësuar se i njëjti mund të pësojë ndryshime ashtu që mund të përhapet lehtësisht nga njeriu te njeriu dhe të shkaktojë një shpërthim global.

Ata thonë se ndonëse nuk është një problem i  menjëhershëm i ka “të gjitha shenjat” e të qenit shumë i përshtatshëm për të infektuar njerëzit, prandaj ka nevojë për monitorim të afërt, transmeton Klan Kosova.

Meqë është diçka e re, njerëzit mund të kenë pak ose aspak imunitet ndaj virusit.

Shkencëtarët kanë thënë se masat për të kontrolluar virusin te derrat dhe monitorimi i afërt i punonjësve të industrisë së derrave duhet të zbatohen menjëherë.

Kërcënimi pandemik

Zhvillimi i këtij gripi është ndër kërcënimet kryesore që ekspertët po e përcjellin nga afër, derisa bota po përpiqet t’i japë fund pandemisë aktuale të koronavirusit.

Gripi i fundit pandemik me të cilin u përball bota ishte Gripi i Derrave i vitit 2009 që filloi në Meksikë, por ishte më pak vdekjeprurës sesa kishte frikë se do të ishte – kryesisht për shkak se shumë njerëz të moshuar kishin një imunitet ndaj tij, ndoshta për shkak të ngjashmërisë së tij me gripet e tjera që kishin qarkulluar vite më parë.

Virusi A/H1N1pdm09 tani mbulohet nga vaksina e përvitshme kundër gripit për t’u siguruar që njerëzit janë të mbrojtur.

Gripi i ri që është identifikuar në Kinë është i ngjashëm me Gripin e Derrave në vitin 2009, por me disa ndryshime.

Deri më tani, ky grip nuk paraqet një kërcënim të madh, por ata që janë duke e studiuar atë thonë se është në mesin e atyre që duhet të vëzhgohen nga afër vazhdimisht.

Virusi, të cilin studiuesit e quajnë G4 EA H1N1, mund të rritet dhe të shumëfishohet në qelizat që rreshtohen në rrugët e frymëmarrjes së njerëzve.

Ata gjetën prova të infeksionit të fundit duke filluar nga njerëzit që punuan në therrtore dhe industrinë e derrave në Kinë.

Vaksinat aktuale të gripit nuk duket se mbrojnë kundër tij, megjithëse ato mund të përshtaten për ta bërë këtë nëse është e nevojshme.

Konkurs Pune

Lexo më shumë