Një fustan, tetë dasma: Nuset në këtë familje e veshën të njëjtin fustan nusërie për 72 vjet - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Një fustan, tetë dasma: Nuset në këtë familje e veshën të njëjtin fustan nusërie për 72 vjet

NULL NULL
16/08/2022

Tetë gra të së njëjtës familje kanë veshur të njëjtin fustan nusërie në ditën e tyre të martesës.

Adele Larson Stoneberg provoi një fustan martese të bardhë saten në dyqanin Marshall Field në qendër të Çikagos dhe vendosi se fustani, i cili kushtonte 100 dollarë, ishte i duhuri. Ai ishte një fustan perfekt për një nuse në vitin 1950, por doli që jo vetëm për atë kohë, pasi dekadë pas dekade për 72 vjet u vesh nga familjaret e saj.

Së pari, Stoneberg ua huazoi dy motrave të saj për dasmat e tyre. Më pas, me kalimin e viteve, vajza e saj dhe tre mbesat pyetën nëse mund ta mbanin atë ndërsa ecnin në altar.

Dhe këtë muaj – 72 vjet pasi Stoneberg u martua në kishën Ebenezer Lutheran – mbesa e saj Serena Stoneberg Lipari veshi të njëjtin fustan në të njëjtën kishë të Çikagos në ditën e saj të martesës.

“Nuk kishte dyshim që unë do të bëhesha nusja e tetë që do të vishte fustanin”, tha Lipari, 27 vjeç.

Gjyshja e Liparit tani ka vdekur, por tezja, tezet e nënës së saj dhe disa kushërira kishin veshur fustanin klasik të Adelës në dasmat e tyre.

“Kur fillova të ecja nëpër korridor dhe mendova që edhe gjyshja ime kishte veshur fustanin, emocioni më goditi”, tha Lipari. “Ndjeva një lidhje të veçantë me të në ditën time të dasmës”.

Pas Adeles, që ishte ajo që e bleu fustanin dhe u martua në këtë veshje, motra e saj Eleanor Milton, 90-vjeç, ishte e dyta që tri vjet pas Adeles, u martua në të njëjtin fustan.

Kur erdhi koha që Milton të martohej në Çikago në vitin 1953, ajo e dinte saktësisht se çfarë donte të vishte.

Pas dasmës së Miltonit, fustani u pastrua dhe u ruajt përsëri profesionalisht – këtë herë për 16 vjet.

Motra e Miltonit, Sharon Larson Frank, vendosi ta vazhdojë traditën e familjes në vitin 1969 kur u martua me John Frank.

“Nëna jonë nuk na tha kurrë se duhej të vishnim fustanin – ai thjesht evoluoi”, tha Frank, 77 vjeç.

Pas dasmës, fustani u ruajt përsëri derisa vajza e Adele Stoneberg, Sue Stoneberg McCarthy, u martua me Robert McCarthy në 1982.

Në vitin 1990, fustani u hoq me kujdes nga kutia e ruajtjes për herë të pestë, në mënyrë që vajza e Eleanor Milton, Carole Milton Zmuda, të mund ta vishte atë në dasmën e saj me Laërence Zmuda.

Ajo tha se e kishte admiruar prej kohësh fustanin që kur ishte në dasmën e tezes së saj Sharon.

Motra e saj Jean Milton Ellis ishte tjetra me radhë që e veshi atë, në dasmën e saj në 1991 me Tom Ellis.

Kushërira e saj, Julie Frank Mackey, u bë nusja e shtatë që veshi fustanin në vitin 2013, për martesën e saj me Tom Mackey.

Ishte një moment emocionues këtë muaj për të parë kushërirën e saj Serena duke ecur në të njëjtin korridor në të njëjtën kishë në të cilën ishin martuar nëna dhe hallat e saj, tha ajo.

Nëse fustani i nusërisë përdoret edhe për 72 vite të tjera, kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të përpjekjeve të nënës së saj, e cila ka marrë përsipër pastrimin dhe kujdesin për fustanin dhe ruajtjen e duhur.

“Unë e mbaj atë në një kuti të mbyllur dhe përdor një formë të vogël si manekini në krye për të ndihmuar bustin të mbajë formën e tij”, tha Sharon Larson Frank.

Ajo tha se ka shumë anëtare të reja femra të familjes që mund ta veshin  në të ardhmen.