"Një amerikane në Kosovë 1981-1997", libri që sjell përvojën e autores në botën shqiptare - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, libri që sjell përvojën e autores në botën shqiptare

NULL NULL
10/08/2022

“Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, është libri i botuar së fundmi nga autorja amerikane Janet Reineck, libër ky që vë në pah mënyrën e jetesës së kosovarëve në një periudhë 16-vjeçare para luftës.

Reineck, e cila qëndroi për tetë vjet në Kosovë midis viteve 1981-1997, ka sjellë edhe formën online të librit, që thotë se është dhuratë për shqiptarët, të cilët ia hapën një botë të re.

Libri me mbi 260 faqe, flet për përvojat e autores në Kosovë, gjatë kësaj periudhe, përvoja që ajo i përshkruan si odise të saj me një popull të vendosur në prag të luftës, të gatshëm të japin jetën për vetëvendosje.

“Jetën shqiptare e kuptova ngadalë, përmes të gjitha shqisave të mia; kam kërcyer për orë të tëra me vajzat e fshatit dhe ua kam dëgjuar sekretet deri në orët e vona të natës, kam fshirë oborrin në agim, kam larë flokët me kovë e tas, kam mbushë gota me çaj për mysafirët, kam pjekur speca, kam qitë fli me fqinjët e mi, jam ulur këmbëkryq pranë zjarrit me pleqtë dhe kam mësuar prej urtësisë së tyre… Kujtimet e mia janë një përmbledhje e këtyre përvojave – një vështrim intim në një mënyrë jetese tradicionale që, në pjesën më të madhe, është zhdukur”, është shprehur autorja.

Fotografi nga jeta e përditshme, dasmat, ndejat e shumëcka tjetër mund të gjenden në këtë libër.

Librin, Reineck ia ka dedikuar njerëzve jashtë Kosovës që duan të dinë më shumë për popullin shqiptar dhe traditat e tij, si dhe shqiptarëve, siç thotë ajo, si një mundësi për të rishikuar stilin tradicional të jetesës dhe për të mësuar rreth rajoneve të largëta që mund të mos i kenë vizituar kurrë, shkruan Klankosova.tv

“Është gjithashtu një shprehje e mirënjohjes, dashurisë dhe respektit të thellë që kam për popullin shqiptar dhe vendin e tij”.

Reineck në fund të gushtit ka njoftuar që do të jetë në Kosovë, për të promovuar librin e saj.

Ajo ka shkruar edhe një tezë masteri dhe një doktorature për Kosovën.

Më poshtë gjeni edhe fotografi të realizuara nga Reineck në Kosovë, midis viteve 1981-1997.