Nisin aplikimet e infermierëve shqiptarë për në Gjermani - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nisin aplikimet e infermierëve shqiptarë për në Gjermani

NULL NULL
05/10/2015

Kërkesat në rritje për punësimin  e infermierëve, por edhe pagat e kushtet e punës që ofron shteti gjerman, kanë bërë që shumë të rinj, por edhe punonjës me përvojë, të kthejnë sytë nga Gjermania. Një mundësi e mirë duket se vjen gjatë këtij muaji për infermierët e interesuar, pas negociatave të Urdhrit të Infermierit me një kompani Gjermane punësimi. Thirrja e Urdhrit të Infermierit citon se të gjithë infermierët që dëshirojnë të punojnë në shtetin gjerman kanë afat deri më datë 10 tetor për të dorëzuar dokumentet pranë këtij institucioni. Kjo është një mundësi mjaft e mirë, por kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, ku një prej tyre është edhe njohja e mirë e gjuhës gjermane. Ata duhet të kenë përfunduar studimet e larta për Infermieri dhe të kenë eksperiencë pune në këtë profesion. Gjithashtu duhet të jenë të pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit, e cila jepet nga Urdhri i Infermierëve.

“UISH është në negocim me një kompani gjermane për punësim infermierësh në rolin e asistentit në Gjermani. Kriteret që duhet të plotësojnë: formimi Bachelor i akredituar; leje e ushtrimit të profesionit në Shqipëri; eksperiencë pune si infermier dhe gjuha gjermane në nivelin B1-B2”, njofton Urdhri i Infermierit. Kandidatët duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh pranë zyrave të Urdhrit dhe në fund të muajit tetor do të bëhet provimi për të matur jo vetëm nivelin e gjuhës gjermane, por edhe nivelin profesional të infermierit. “Kandidatët të paraqesin dosjen me dokumentet e nevojshme dhe do të jenë pjesë e listës që kompania gjermane do të përzgjedhë në testimin që do të bëhet në Tiranë në fund të tetorit, si për gjuhën edhe për nivelin profesional.

Dokumentet që duhet të dorëzojnë janë përkatësisht, kërkesë, diplomë, leja e ushtrimit të profesionit, libreza e punës ose vërtetim nga qendra e punës dhe dëshmia e gjuhës gjermane. Të gjitha këto dokumente dorëzohen pranë UISH-së, ku njihen dhe me kontratën e punës së kompanisë gjermane deri më datë 10 tetor”, thuhet në njoftimin e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë. Kandidatët fitues në testim do të kenë mundësinë që të punojnë në Gjermani afati i kontratës do të vendoset nga vetë punëdhënësi. Por, ajo çka duket se i “josh” infermierët, të cilët kanë përfunduar fakultetin këtu, është pikërisht paga, e cila arrin në shifrat neto nga 2000 deri në 2200 euro, si dhe kushtet e punës, të cilat janë të njëjta me ato të infermierëve gjermanë./Shekulli.com.al