Lajmet e fundit
Në Pejë ka nisur zbatimi i planit operativ të Policisë së Kosovës “Siguria në Shkolla”, me fokus në rritjen e sigurisë për nxënësit dhe parandalimin e shkeljeve në afërsi të institucioneve arsimore.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, Policia ka sekuestruar gjashtë motoçikleta, kryesisht pranë shkollave, përfshirë edhe afër Shkollës Teknike “Rifat Gjota”.
Sipas korrespondentit të Klan Kosova, Valdrin Daci, motoçikletat janë sekuestruar për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit, përfshirë mungesën e patentë-shoferëve, drejtimin pa helmetë dhe mosrespektimin e rregullave të tjera të trafikut.
Ai bëri të ditur për emisionin "Ora 7", se me gjashtë motoçikletat e sekuestruara dje, numri i tyre në kuadër të këtij plani ka kaluar mbi 30, pasi ditë më parë në Pejë ishin sekuestruar edhe 26 motoçikleta.
Policia pritet të vazhdojë zbatimin e planit në ditët në vijim, me kontrolle të shtuara pranë shkollave.