Nis panairi i Librit në Fier - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nis panairi i Librit në Fier

NULL NULL
21/05/2015
Në Fier do të hapet Panairi i Librit “Fieri 2014” ku do të jenë personalitete në zë të letërsisë, shkrimtarë, poetë e akademikë

Në qytetin e Fierit do të hapet Panairi i Librit “Fieri 2014”, i cili do të mbahet në ambientet përpara Prefekturës prej sot deri të dielën, 24 maj.

Panairi, me të ftuar personalitete në zë të letërsisë, shkrimtarë, poetë, akademikë, përfaqësues të medias e politikës, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, organizohet nga Fondacioni “Harpa’’ dhe Bashkia Fier.

Në Ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë përfaqësues e drejtues të Ministrive të Kulturës të Kosovës e Shqipërisë, deputetë të Kuvendit, etj.

Ashtu si edhe vitin e kaluar, në këtë event kombëtar do të marrin pjesë rreth 100 Shtëpi Botuese. Në këtë panair do të ekspozohet një gamë e gjerë botimesh, si letërsi artistike shqipe dhe e huaj, histori, enciklopedi, letërsi për fëmijë, fjalorë, albume, udhëzues, harta etj.

Të ftuarit e veçantë në Panairin e sivjemë, siç njoftoi organizatori, janë Ali Aliu, Rexhep Qosja, Fatos Arapi, për të cilin zhvillohet edhe një Konferencë shkencore në datën 22 maj, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca, Zenullah Rrahmani, Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka, ministri i Kulturës i Kosovës Kujtim Shala etj.

Në këtë Panair zhvillohen tri Konferenca të rëndësishme Shkencore: “Libri dhe problemet e tij ne aktualitetin e sotëm”, ku do të referojnë Ali Aliu, Moikom Zeqo, Muharrem Jakupi, Irena Toce, Valbona Nathanaili, Abdullah Zeneli; “Fatos Arapi, një ndër vokacionet kulmore të poezisë shqipe”, për të cilin do të flasin Ymer Ciraku, Ali Aliu, Bashkim Kucuku, Bardhosh Gace, Adem Xheladini; dhe “Fan Noli dhe Faik Konica, dy personalitete – miq e rivalë të përjetshëm”, ku referojnë Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka, Agim Vinca.

Do të bëhen promovime të shumë autorëve, si: Vepra e Kujtim Shalës, Prec Zogaj, Bashkim Shehut, Mira Meksit, Rita Petros, Kleo Latit, Zejnullah Rrahmanit etj.

Meqenëse këtë vit, emra të njohur autorësh kanë përvjetorë lindjesh e vdekjesh, është menduar të bëhet një kolazh interpretimesh, me krijime të autorëve, si: Martin Camaj, Naim Frashëri, Ernest Koliqi, Çajupi, Gjergj Fishta, Pashko Vasa etj.

Në mbyllje të Panairit do të jepen katër çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare.