Lajmet e fundit

Një baba, i cili qëlloi për vdekje një person të armatosur në shkollën e vajzave të tij në shtetin amerikan të Oregonit, ka përshkruar dhimbjen e tij të thellë që nuk mundi të shpëtonte më shumë nxënës, pasi "dëgjoi fëmijë që luteshin për jetën e tyre".
Tre nxënës dhe një mësues u vranë nga një ish-nxënës 16-vjeçar në shkollën fillore "Silver Rail" në fillim të këtij muaji. Më pas, sulmuesi u vra nga Kaylub Giamanco, transmeton Klankosova.tv
"Dua të kërkoj ndjesë që nuk i shpëtova ata fëmijë", tha Giamanco – i cili është cilësuar si hero – duke iu referuar prindërve të fëmijëve të vrarë.
Sipas BBC, nxënësit e vrarë ishin të gjithë djem, të moshës pesë, tetë dhe 11 vjeç. Sipas policisë, ata ishin pjesë e një grupi prej gjashtë personash që u qëlluan brenda një klase në shkollë. Përveç mësuesit që humbi jetën, një fëmijë tjetër dhe një mësues tjetër mbetën të plagosur.
Giamanco tregoi se dita e sulmit kishte nisur si zakonisht, me mëngjes dhe përgatitjen e ushqimit për shkollë. Ai dhe bashkëshortja e tij kishin shpenzuar më shumë kohë për të bërë gati vajzat, pasi ishte dita kur bëheshin fotografitë e shkollës.