Nga viti 1986 deri sot në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV

Nga viti 1986 deri sot në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV

NULL NULL
2 muaj më parë

Më 1 dhjetor shënohet Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje që vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik.

Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë botën, si dhe në Kosovë, është thirrja për aksion për të gjithë personelin dhe vendimmarrësit shëndetësorë, liderët në komunitet, menaxherët e programeve të HIV-it dhe partnerët tjerë që me kontributin e tyre të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të HIV/AIDS-it

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka shpalosur disa statistika interesante globale lidhur me AIDS-in.

  • Në fund të vitit 2019 rreth 38 milion njerëz ishin me HIV.
  • Llogaritet se 1 në 5 njerëz që jetojnë me HIV nuk e dijnë se janë të infektuar.
  • Deri tani nga HIV-i kanë ndërruar jetë 33 milion njerëz.
  • Gjatë vitit 2019 kanë vdekur 690.000 njerëz me HIV për shkak të mungesës së shërbimeve për HIV, ndërsa 1.7 milion tjerë janë infektuar.
  • Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grup moshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj).
  • Infeksioni me HIV është i pashërueshëm. Megjithatë, terapia efikase antiretrovirale mund ta kontrollojë virusin dhe të ndihmojë parandalimin e bartjes së infeksionit tek njerëzit tjerë.

Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes posaçërisht në mesin e popullatës MSM.

Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se vendi jonë nuk ka epidemi të gjeneralizuar, apo të përqendruar të infeksionit HIV.

Që nga viti 1986 deri më 1 dhjetor të vitit 2020, në Kosovë janë raportuar 132 raste me HIV. Deri më tani 51 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2020 janë raportuar dy raste me HIV infeksion.

Qendrat për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV/AIDS ekzistojnë që nga viti 2003 në Kosovë dhe veprojnë në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK, në IKSHPK gjithashtu edhe në në Ferizaj, Prizren dhe Pejë.

Kampanja për vitin 2020 është me moton: “Ta përfundojmë epideminë e HIV/AIDS-it: Qëndrueshmëri dhe Ndikim”

Mesazhet kryesore dhe thirrja për veprim:
• Përtëritja e luftës për t’i dhënë fund AIDS-it; është koha për të investuar, përtërirë dhe integruar shërbimet e HIV me kujdesin e gjerë shëndetësor.
• Përdorimi i shërbimeve inovative të HIV-it, për të siguruar kujdes të vazhdueshëm për personat me HIV gjatë pandemisë, p.sh. përshkrimi i terapisë për disa muaj.
• Angazhimi, përkrahja dhe mbrojtja e punëtorëve shëndetësor dhe atyre në komunitet gjatë ofrimit të shërbimeve për HIV dhe COVID-19.
• Dhënia e përparësisë grupeve vulnerabile. Ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve të HIV-it gjatë COVID-19 për fëmijët, adoleshentët dhe grupacionet e veçanta.

COVID-19 dhe HIV

Ndikimi i infeksionit me COVID-19 tek personat me HIV është ende duke u hulumtuar.

Personat me HIV janë të rrezikuar nga sëmundjet serioze nëse kanë vlera të ulta të qelizave imunitare CD4 dhe nëse nuk marrin terapi efektive antiretrovirale.

Personat me HIV duhet të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur infeksionin me COVID-19:
• Bartja e maskës,
• Mbajtja e distancës fizike,
• Mbajtja e higjienës personale dhe ambientit,
• Evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme.
Në veçanti, duhet parapregaditur për infeksion të mundshëm, duke:
• Siguruar furnizim të mjaftueshëm (30-90 ditë) me barna për HIV.
• Vazhduar të merrni barnat për HIV, me që ato ndihmojnë që ta ruani sistemin imunitar.
• Mirëmbajtur stilin e shëndoshë të jetës (të ushqyerit e shëndetshëm, gjumë të mjaftueshëm së paku 8 orë në ditë dhe largimi nga stresi).

 

Të dhënat në këtë shkrim janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.