Lajmet e fundit
Në edicionin e sotëm të emisionit “Jehona Politike” është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit lidhur me çështjen e moskonstituimit të legjislaturës së re.
Gazetarja Qëndresa Bellagoshi tha se, përveç aksionit me vezë, është përdorur edhe situata që ka qenë atë ditë me mërgimtarët, ndonëse, sipas saj, bëhej fjalë për një afat prej 48 orësh brenda të cilit nuk ishte thirrur seanca.
“Përveç aksionit me vezë është përdorur edhe situata që ka qenë atë ditë me mërgimtarët, edhe pse ajo ka qenë në një 48-orësh që nuk është thirrur, në fakt, një seancë. Ka qenë më shumë kjo përfshirja dhe më shumë ka qenë nervoza pse nuk po respektohet ky rregull, sesa në rast se do të ishte thirrur një gjë e tillë. Vetë zonja Kadrijaj ka thënë se nuk do ta bënte këtë veprim në rast se do të propozohej emri për kryeparlamentar”, tha Bellagoshi.
Ajo shtoi se emri për kryeparlamentar mund të jetë lehtësisht i votueshëm, duke theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duket se ka interes për ta marrë këtë post.
“Nga emri për kryeparlamentar që mund të jetë krejt lehtësisht i votueshëm, për shkak se nuk ka interes Lidhja Demokratike për ta marrë këtë post, duket që, në fakt, partia më e interesuar për të mos shkuar në zgjedhje prej të gjithave është Lidhja Demokratike”, u shpreh ajo.
Sipas Bellagoshit, LDK-ja është e vetmja parti që ka hequr dorë nga kushtet dhe kërkesat e paraqitura në fillim, përfshirë kërkesat për poste qeveritare dhe më pas edhe pozitën e presidentit.
Opinionistja Anita Shabani tha se, sipas saj, kryeministri në detyrë Albin Kurti kërkon një figurë që do të mund ta përdorte në situata të caktuara.
“Ai do një figurë të cilën mundet me e përdor, një figurë-vegël të cilën e përdor në çdo kohë që nevojitet. Prandaj ne kemi stërzgjatje të diskutimeve për këtë pozitë, sepse ai duhet të jetë i sigurt për presidentin që do të vijë”, tha Shabani.
Ajo shtoi se, nëse do të kishte vullnet politik për zgjedhjen e presidentit, sipas saj, Kosova tashmë do ta kishte një president.
“Nëse do të kishte vullnet politik për zgjedhjen e presidentit, ne tashmë do ta kishim presidentin dhe do të ishte konsensual, sipas deklarimeve publike, siç po e thotë zoti Kurti. Por, me patjetër, ne i dimë qëllimet e zotit Kurti që pozita e presidentit duhet të jetë pozitë ose person i cili do të jetë dëgjues ndaj zotit Kurti për raste të caktuara”, u shpreh Shabani.
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, duke iu referuar rastit të Bojken Abazit tha se zhvillimet e fundit nuk janë befasuese, duke iu referuar edhe veprimeve të presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu
“Po, tashmë e dimë se zonja Haxhiu i ka kryer të gjitha detyrat të cilat i janë dhënë nga zoti Kurti dhe nuk është për t’u çuditur kjo çka ka ndodhur sot me këtë dekret, përkundër faktit që ky person njëherë jo vetëm që është refuzuar, por edhe është larguar nga Kosova”, tha Daka.