Nga të Zhdukurit me Forcë deri të mospajtimi për Asociacionin – krejt çka ndodhi dje në Bruksel NULL NULL 03.05.2023 09:28 03.05.2023 09:28 Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan të martën në Bruksel ku temë e diskutimit ishte draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Krerët e të dy shteteve miratuan Deklaratën për të Zhdukurit me Forcë, ku ndër të tjera thuhet se Serbia do të hapë dosjet e klasifikuara për gjetjen e Personave të Zhdukurve me Forcë. Kosova e Serbia në këtë deklaratë ranë dakord po ashtu që të sigurohet aksesi i plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur me forcë gjatë periudhës 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. “Në zbatimin e kësaj marrëveshjeje do të përdoren të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio – incizimet dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë edhe dokumentet e klasifikuara”, thuhet në deklaratë, transmeton Klankosova.tv. Po ashtu, drejt gjetjes së personave të zhdukur me forcë do të përdoren edhe të dhënat satelitore dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive. Në lidhje me këtë, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se është urgjente që të sigurohet që procesi i identifikimit të varrezave të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. “Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, tha ai. E, ajo për të cilën palët nuk u pajtuan ishte draft-statuti i Asociacionit, për të cilin kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se ekipi menaxhues e ka de-komisionuar veten, pas propozimit të draft-statutit nga koordinatorja serbe Danijela Vujiçiq. Për Vujiçiqin, Kurti tha se ajo ndodhet në konflikt interesi, meqë ka dhënë edhe betim në Parlamentin e Serbisë. “Kam renditur disa fakte për koordinatoren e ekipit menaxhues. Por, ajo çfarë është e qartë sot është se me rastin e prezantimit të këtij draft-statuti, mund të thuhet se ekipi menaxhues është dekomisionuar, meqenëse nuk ka funksion, rol e as status më”. “E kanë dorëzuar draftin, unë ua thash në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetueshmërinë dhe rrjedhimisht është mirë që sa më parë, të fillojnë diskutimet mbi bazën e një draft vizioni vleror që kam propozuar unë sot”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv. Më tej, Kurti tha se draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues është rezultat i dëshirës për Republika Srpska. “Qartazi, ekziston dëshira për Republika Srpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë draft statut”, tha Kurti. Kurse, shefja e këtij ekipi për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, Danijela Vujiçiq, tha se prezantimi i draftit ishte i sikletshëm dhe se “kaosi erdhi” menjëherë pasi kanë hyrë në dhomë e presidenti serb, Vuçiq, u ka thënë “ku jeni serbet e mia nga Kosova dhe Metohia”. Për pikën mospajtuese, kreu i shtetit serb tha se pala kosovare s’do që ta përmbushë, sipas tij, obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. ”Është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë zotimin e saj të 10 viteve më parë. Ishte e qartë nga mënyra se si ata e trajtuan draftin e statutit të AKS-së të paraqitur nga ekipi ynë drejtues. Ata thanë se nuk e duan Republikën Srpska”, tha Vuçiq, transmeton Klankosova.tv. Për draft-statutin e Asociacionit, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se palët ende kanë qëndrime të largëta me njëra-tjetrën, por sipas tij, ky është vetëm hapi i parë drejt statutit final të AKS-së. “Palët morën një hap të rëndësishëm përpara rreth Asociacionit, palët ishin pajtuar 10 vjet më parë dhe sonte u prezantua drafti i parë dhe nuk është drafti final. Ky është në linjë me marrëveshjen e re”, tha Borrelli, duke iu referuar marrëveshjes së Ohrit. Pas propozimit të draft-statutit, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mori vendim që të shkarkojë katër anëtarët serbë të Ekipit Menaxhues për përgatitjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iO