Lajmet e fundit

Nga Mitrovica e Kadri Veselit, qytetarët presin lirimin e krerëve të UÇK-së (VIDEO)
Në Mitrovicë kanë nisur përgatitjet për përcjelljen e shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, raportoi drejtpërdrejt nga Mitrovica, më saktësisht nga lagjja ku ka jetuar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreu i UÇK-së, Kadri Veseli.
Sipas Tahirit, në hyrje të lagjes është vendosur një monitor i madh, përmes të cilit qytetarët do të kenë mundësi ta përcjellin drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Banorët dhe qytetarët e mbledhur në këtë pjesë të Mitrovicës po e presin me interes vendimin e gjykatës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Një qytetar, duke folur për Klan Kosovën, u shpreh i bindur se verdikti do të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.
Natyrisht, verdikti final do të jetë plotësisht i pafajshëm. Luftën e kemi bërë në vendin tonë, nuk e kemi bërë në Serbi. Më shumë janë akuza të ngritura prej shërbimeve serbe, s’ka të bëjë këtu me krime brenda Kosovës. Nëse është veç drejtësi, këta sot duhet të lirohen të gjithë”, tha ai.
Qytetarët në Mitrovicë, njësoj sikurse mbështetësit në qytete të tjera të Kosovës, po presin shpalljen e vendimit për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin.