Lajmet e fundit

Përfaqësuesi i motorsportit nga Kosova, Visar Gjikolli, ka vazhduar aktivitetin e tij në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar Kosovën në gara dhe aktivitete të ndryshme të motorsportit, në Mal të Zi, Francë dhe së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ishte i ftuar në emisionin “Weekend” në Klan Kosova dhe tregoi për eksperiencën e tij që së fundmi ka qenë pjesë e një programi në SHBA, ku ishte nominuar për të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me motorsportin amerikan.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, Gjikolli ishte pjesë e një grupi ndërkombëtar prej rreth 25 shtetesh, ku morën pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, njofton Klankosova.tv.
“Kemi qenë një grup prej 25 shteteve prej gjithandej botës, duke filluar me Tokio, Afrikën e Jugut, Brazilin dhe të gjithë na ka bashkuar një emërues i përbashkët – motorsporti”, ka thënë Gjikolli.
Vlen ta potencojmë se motorsporti është sporti që përfshin garat dhe aktivitetet konkurruese me mjete motorike, kryesisht automobila dhe motoçikleta. Ai përfshin disiplina të ndryshme, si garat në pista, garat malore, ralikrosin, rally-n dhe forma të tjera të konkurrimit me mjete motorike.
Për Gjikollin, pjesëmarrja në këto aktivitete ndërkombëtare paraqet edhe një mundësi për të prezantuar Kosovën në një komunitet ku sporti shërben si pikë e përbashkët mes përfaqësuesve nga vende të ndryshme të botës.