Lajmet e fundit
Vetëm një muaj më parë, Laurent Krasniqi kishte përjetuar një nga momentet më të veçanta të jetës së tij.
Ish-banori i “Big Brother VIP Kosova” i kishte propozuar partneres së tij për martesë gjatë një fluturimi me helikopter mbi New York, duke ndarë momentin e lumtur edhe me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, transmeton Klankosova.tv.
Por, ajo që duhej të ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri për çiftin, u kthye në një kujtim të dhimbshëm.
Mbrëmjen e 2 shtatorit, Laurent Krasniqi humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në fshatin Llukar të Prishtinës.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti është raportuar rreth orës 20:20 dhe në të janë përfshirë një motoçikletë dhe një automjet. Vdekja e Krasniqit është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK.
Laurenti, 29-vjeçar, ishte i njohur për publikun kosovar përmes rrjeteve sociale dhe pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Kosova”. Ai do të varroset sot në fshatin e tij, në Llukar.