Neuroshkenca e të lexuarit - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Neuroshkenca e të lexuarit

NULL NULL
nga Lum Gashi 23.01.2023 21:24

Profesori i Brown University, Paul B. Armstrong, publikoi librin e tij Si luan letërsia me trurin: Neuroshkenca e leximit dhe artit më 2013.

Përmes këtij libri, ai vë një tjetër gur në urën që lidh neuroshkencën dhe studimin e letërsisë, duke nxitur një bashkëpunim ndërdisiplinor që kërkon përgjigje në të dyja anët për efektin e leximit në trurin tonë.

Si reagon truri ynë kur has në harmoni artistike e si  harmonia kur has në disonancë – si është mendja jonë një tokë pjellore e një paradoksi që ia mundëson artit të depërtojë në mënyra të ndryshme të cilat ndodh të jenë kundërthënëse në raport me njëra-tjetrën.

Ai gjen virtyt te mendja që në raste di t’i respektojë modelet e mirëvendosura të vlerësimit, e sa në të qenët e hapur t’i përqafojë shpikjet e manovrat  e reja artistike të cilat dinë vetë që diku të anash-vendosen e diku të mbivendosen si modele të reja.

Armstrongu sheh iluminim në puqjen e dy perspektivave, asaj estetike dhe të neuroshkencës duke lobuar për një ndërveprim të mëtutjeshëm të tyre në gjetjen e përgjigjeve apo në thellimin e teorive estetike. Por dhe ndasitë dhe distancën midis këtyre dy fushave, Armstrongu i konsideron të dobishme në një sens të caktuar.

Ky studim specifik i reagimit konkret në trurin tonë që vjen prej leximit të një vepre letrare është në fazat e veta të hershme, por gjithsesi premtues në shpjegimet që mund t’i ofrojë lidhur me mënyrat e ndryshme se si leximi i një vepre artistike e nxit trurin të reagojë dhe se ç’reagime në të vërtetë di të sjellë ajo e që mund të kenë një përshkrim më të saktë shkencor.

Ai insiston që dobia është e ndërsjellë për të dyja fushat, për studimet humane në të kuptuarit në një nivel më shkencor për efektin e një vepre arti në trurin e njeriut, por edhe për vetë neuroshkencën që ta ketë përkrah vetes një qasje me funde të hapura në të kuptuarit e ndikimit të leximit artistik te ne.

Paul B. Armstrong, profesor i letërsisë

 

Përse e shihni të rëndësishëm të kuptuarit e procesit të leximit edhe për nga aspekti shkencor?

Mendoj që është tejet interesante t’i gjejmë përvojat e ndryshme të cilat i përjetojmë kur lexojmë vepra letrare e të cilat janë të bazuara në procese biologjike që ngjajnë në trupat dhe trutë tanë. Kur e përjetoj një tekst, atëherë ai është privat; po ndodh në mendjen time, brenda vetëdijes sime. Mirëpo, të pasurit një perceptim që kjo ndahet me lexues të ndryshëm dhe madje ndahet përgjatë historisë sepse kemi trupa dhe tru të ngjashëm, është tepër interesante. Kur gjej paralele midis asaj që e kam mësuar për procesin e leximit duke menduar në mënyrë filozofike për të dhe duke përdorur teori estetike të zhvilluara nga filozofët e traditës fenomenologjike, paralele midis atyre dhe asaj që shkencëtarët hulumtues gjejnë kur bëjnë eksperimente kognitive dhe mënyrën se si perceptojmë, atëherë kjo ma jep besimin që këto teori për leximin nuk janë thjesht një hokus-pokus mistik, por bazohen në diçka që ndahet bashkë me të tjerët dhe që është materialisht e mishëruar në përvojën tonë të përjetimit të botës si qenie biologjike neurologjike. Prandaj, kjo më duket tejet interesante.

Disonanca dhe harmonia

Unë rregullisht e ligjëroj lëndën e historisë së estetikës, që nga Platoni e deri te postmodernizmi, dhe njëra prej gjërave që studentët e mi e mësojnë është që ekziston një konflikt i përhershëm midis teorive të artit që e theksojnë simetrinë, rendin dhe ekuilibrin si dhe teoricienët e artit që thonë, JO, ajo që ka rëndësi në art është thyerja e rregullave, transgresioni, disonanca e jo harmonia. Dhe njëra prej gjërave që e konsideroj shumë interesante është që ky kundërshtim në historinë e estetikës mund të gjendet deri te një paradoks për trurin, i cili, mendoj se arti na ndihmon neve si specie që të negociojmë. Truri ka nevojë për dy gjëra kundërthënëse. Truri ka nevojë për formula që do të na ndihmojnë ta parashikojmë rregullisht se çfarë po ndodh në botë dhe t’i parashikojmë gjërat me të cilat kemi punë. Mirëpo, truri po ashtu duhet të jetë fleksibël, duhet të jetë i hapur ndaj ndryshimit, dhe tregimet e artit dhe letërsisë na ndihmojnë me këtë kundërthënie duke na dhënë modele për t’i testuar, duke na e dhënë një sens se si bota do ta rendisë veten. Dhe ne po kontribuojmë në përforcimin e sensit tonë të lidhjeve në një mënyrë që do ta lehtësojë funksionimin njohës por do t’i prishë ato që na mbajnë fleksibël dhe të hapur në mënyrë që ne të mos përfundojmë në shprehi që na parandalojnë së përgjigjuri gjërave të reja. Kështu që, kundërshtia dhe estetika midis harmonisë dhe disonancës të cilat mund t’i gjurmoni deri në mijëra vite më parë në shumë kultura të ndryshme dalin të jenë manifestim i këtij paradoksi bazë të funksionimit njohës e që është preokupimi qendror i neuroshkencëtarëve.

Humanitetet dhe neuroshkenca

Mendoj që perspektiva e neuroshkencës dhe estetikës mund të jenë reciprokisht përndritëse. Në fakt,  ata kanë nevojë për njëri-tjetrin sepse janë perspektiva ku secila mund ta ofrojë mendjehollësinë e vet. Një bisedë ndërdisiplinore, njëra që vete poshtë e lart midis disiplinave, merr prej secilës anë për t’ia kumtuar anës tjetër ato gjëra që s’mund t’i zbërthejë me mjetet e veta; në këtë rast studimet neuroshkencore të trurit duke përdorur skanime të trurit, skanimet fMRI, mund t’ju tregojnë se cilat pjesë të trurit po shkrepin, por ato neurone nuk ju tregojnë se si është t’i keni ato përvoja kur po e shikojmë një vepër arti apo kur po e përjetojmë një simfoni. Neuronet janë duke shkrepur por ato neurone nuk na tregojnë se si është t’i kemi ato përvoja. Veprat letrare na e japin një sens më të madh lidhur me ato përvoja; dhe mua më duket që aftësia për t’i përshkruar në mënyrë më rigoroze llojet e gjërat që artistët po tentojnë t’i arrijnë me këto teknika që na i japin këto përvoja, mund të eksplorohet dobishëm me mjete neuroshkencore. Në anën tjetër, ne humanistët të cilët i kemi këto teori që e shpjegojnë se çfarë po ndodh në përvojën estetike mund t’u tregojnë neuroshkencëtarëve se çfarë ajo që po e bëjnë neuronet të cilat po shkrepin po i bën përvojës sonë. Filozofët flasin se si ka një hendek shpjegimi midis neuroshkencës dhe humaniteteve. Ka një hendek midis aftësisë sonë për të thënë, ‘në rregull këto neuronet po shkrepin’, dhe aftësisë sonë për ta shpjeguar se si i prodhojnë ato këto përvoja që ne po i kemi. Dhe ky hendek, është në fakt i dobishëm sepse e jep mundësinë për ne që t’i ofrojmë shkëmbimet e pikëpamjeve rreth saj nga përvojat tona të ndryshme.

Leximi si efekt

Vetëdija jonë e botës është e formuar nga ndërveprimet dhe bashkëpunimet me anëtarë te tjerë të specieve tona që nga momenti kur lindim e madje edhe para se të kemi lindur. Rrjetëzimi i trurit tonë është rezultat i këtyre përvojave; përvojat me anëtarë të specieve tona dhe përvojave me botën rreth nesh. Tregimet dhe veprat e artit janë pjesë e rëndësishme e këtyre përvojave, dhe sensi i këtij modeli që e kemi mbi atë se si bota është e formuar vjen mjaft shumë si rezultat i tregimeve që ia kemi mësuar dhe thënë njëri-tjetrit dhe që thjesht ndihen të natyrshme. Natyralizimi i këtyre tregimeve dhe modeleve përmes së cilave ne shohim është pjesë e asaj se si letërsia formon trutë tanë. Mirëpo, njëra prej gjërave që ne i zbulojmë e që është e pëlqyeshme për tregimet është se si na befasojnë ato. Ju lexoni një tregim dhe prisni që nuk do të dalë ashtu si ju e prisni, prandaj ju pëlqen. Është pjesë e asaj që na mban fleksibël, na mban të hapur ndaj ndryshimit. Dhe mua më pëlqen që të lexoj tregime që ta mbaj mendjen time fleksibël dhe të hapur dhe më pëlqen të lexoj shumë tregime të ndryshme.

Ç’vihet re në tru kur lexohet një poezi, e çfarë kur lexohet një dramë, e kur prozë?

Letërsia përfshin lojën me modele dhe kjo ndodh pavarësisht zhanrit. Disa teoricienë letrarë kanë provuar të thonë se ka kufij të fortë dhe të shpejtë midis prozës, poezisë dhe dramës, dhe ja këtu i keni tiparet dalluese të këtij zhanri apo atij zhanri, dhe të gjitha këto dallime shpërbëhen sepse kufijtë midis këtyre formave të ndryshme janë më poroze se kaq, dhe përfundimisht mendoj se kjo ndodh sepse letërsia përdor konvenca të ndryshme, dhe  rregulla modele-krijuese që e përkufizojnë se si ta shkruani një roman, një tregim, një poezi apo dramë me qëllimin e lojës me to dhe përforcimit të pritjeve që ato modele i kanë vendosur në trurin tonë. Por pastaj, i përmbysni ato, i manipuloni, duke na befasuar, duke na bërë më fleksibël dhe më të hapur ndaj ndryshimit, dhe kjo ndodh me forma të ndryshme.

Nga një perspektivë më shkencore, “statistikore”, deri diku objektive, mund të arrihet në përfundim se cilat elemente kryesisht e përbëjnë një kryevepër?

Nuk ka një karakteristikë të vetme të cilën e kanë të gjitha këto kryevepra. Kështu nuk funksionon arti e as truri. Në fakt, veprat klasike, kryeveprat që ia vlejnë të ruhen e vendosin vlerën e tyre përgjatë historisë duke u gjetur e rigjetur sërish nga lexuesit në kultura të ndryshme, në epoka të ndryshme, duke qenë stimuluese, duke e shpërblyer sensin se si modelet formohen, duke u dhënë mënyra të vlefshme të së menduarit për botë, por po ashtu duke i sfiduar që të mendojnë në mënyra të reja dhe të ndryshme, dhe njëra prej vështirësive të së qenit shkrimtar është që ju nuk mund ta parashikoni se si do të kuptoheni qindra e qindra vite në të ardhmen. Andaj, triku është që të shkruarit tuaj të jetë asisoj sa ta angazhojë interesimin e lexuesit në të luajturit me formulat që ju i vendosni. Dhe dëshmia e aftësisë së një vepre që të vazhdojë së mbijetuari është që lexuesit të vazhdojnë ta gjejnë lojën me formula që këto vepra e bëjnë të mundur që të jetë energjike dhe të ngjallë interesim.