Lajmet e fundit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mandatin e saj, në rast se vendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit.
Haxhiu tha se Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton qartë këtë çështje, ndërsa theksoi se për ushtruesin e detyrës së presidentit përcaktohet se nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.
“Sa i përket mandatit tim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk flet për këtë çështje, realisht flet se ushtruesi i detyrës nuk mund të qëndrojë më shumë se 6 muaj”, tha Haxhiu.
Sipas saj, për këtë çështje ka pasur interpretime të ndryshme, përfshirë edhe parimin e vazhdimësisë institucionale, por thotë se kishte pritur që Gjykata Kushtetuese ta trajtonte këtë aspekt në aktgjykimin e fundit, por kjo nuk kishte ndodhur.
"Megjithatë, unë kam pritur që Gjykata Kushtetuese tashmë e ka marrë rolin e shkruesit të Kushtetutës, përkatësisht po bën nene pa qenë fare në Kushtetutën e Kosovës. Kam pritur që në aktgjykimin e fundit me trajtuar dhe këtë aspekt, por nuk e kanë trajtuar fare, s’kanë folur prej asnjë prej pikave aty për këtë çështje dhe jam duke e shqyrtuar çështjen që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Megjithatë, nuk kam vendosur ende, po pres të marr një konfirmim nga ekipi im që është i angazhuar në këtë drejtim", deklaroi Haxhiu./Klankosova.tv