17:02, 18 Maj 2020

Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe në Kosovë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve.

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është nënshkruar  një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Qëllimi i memorandumit është rithemelimi i Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, institucion ky i cili ka funksionuar nga 1951 deri më 2001”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun në fjalë, me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut, mbështetjen e vazhdueshme të Muzeut si institucion kulturor publik.

Ndërsa, UP-ja, konkretisht Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ka për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave për Muzeun e Historisë së Natyrës, pasurimin e koleksionit të Muzeut të Historisë së Natyrës, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë, vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve ju siguroj që ta keni mbështetjen time, të vazhdoni angazhimet e juaja dhe punën e juaj të palodhshme në cilësinë e profesionistëve të kësaj lëmie. Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, është shprehur ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Ajo ka theskuar se kanë shtuar angazhimin në renovimin dhe funksionalizimin e muzeve tjera, e si prioritet përmendi Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” dhe tha se do të mbështesin edhe muzetë nëpër qytete tjera të Kosovës.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë