Lajmet e fundit

Një nënë në Pejë ankohet se fëmija i saj 6-vjeçar nuk po merr trajtimin e duhur në shkollën fillore të mesme të ulët "Ismail Hajdari", në periferi të qytetit. Këtë e ka bërë të ditur korrespondenti i Klan Kosovës nga Peja, Valdrin Daci, në emisionin "Ora 7".
Sipas ankesës së nënës, Vlora Kastrati, fëmija i saj tash e tri javë nuk po e ndjek orarin e plotë mësimor.
Ajo thotë se djali, i cili sipas saj ka probleme të vogla në të folur, qëndron në shkollë vetëm deri në ora 09:25, pra për dy orë mësimore, ndërsa shkolla e thërret pothuajse çdo ditë që ta tërheqë.
Daci tha se nëna, e cila kishte pranuar të jepte intervistë para kamerës, në minutat e fundit ka njoftuar se një zyrtare policore i ka kërkuar të mos flasë për media, megjithëse rasti i saj tashmë është bërë publik.
"Ndodhem sot para shkollës fillore të mesme të ulët "Smajl Hajdari" këtu në periferi të Pejës, ku kam pasur të realizoj edhe një intervistë me nënën e fëmijës, e cila në minutat e fundit na ka lajmëruar se një zyrtare policore i ka thënë që të mos flasë para kamerës, ndonëse rasti i saj tashmë është publik. Bëhet fjalë, sipas ankesës së nënës, dëshmi të cilën e ka dërguar edhe me shkrim tek ne, ajo është ankuar në shkollë, domethënë është ankuar në raport me shkollën se fëmija i saj 6-vjeçar tash e tri javë nuk po merr trajtimin e duhur sipas saj nga shkolla, sepse thuhet se ai fëmijë ka probleme... probleme sipas saj të vogla në të folur dhe në vend se të vijojë orarin e plotë mësimor, sipas nënës Vlora Kastrati, ajo ka thënë se fëmija i saj në shkollë po vijon mësimin vetëm deri në orën 09:25, që i bie konkretisht dy orë mësimore, dhe po ftohet nga shkolla që të vijë ta tërheqë djalin pothuajse çdo ditë", tha fillimisht ai.
Ai tha se nëna po kërkon që fëmija i saj të trajtohet njësoj si nxënësit e tjerë dhe thotë se mësuesit nuk po e trajtojnë në mënyrë të barabartë, duke e lëshuar më herët se shokët e klasës.
"Kërkesa e nënës është që ta trajtojnë në mënyrë të barabartë sikurse fëmijët e tjerë, pasi që nëna po thotë se fëmija i saj 6-vjeçar, për shkak se sipas saj ka probleme në të folur, nuk po trajtohet në mënyrë të barabartë nga mësuesit aty domethënë që janë kompetentë, si dhe në anën tjetër po i lëshohet më herët prej shkollës sesa nxënësit e klasës së fëmijës", shtoi ai.