10:22, 3 Korrik 2020

Në vizitën e tij të parë zyrtare, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është pritur në Tiranë me ceremoni shtetërore nga homologu i tij shqiptar Edi Rama.

Pas takimit me Ramën, të dy kryeministrat pritet të kenë një konferencë të përbashkët për media, njofton Klan Kosova.

Por, shefi i qeverisë kosovare gjatë vizitës së tij në Shqipëri do të takohet edhe me liderët e tjerë shtetërorë dhe ata partiakë.

Pas takimit dhe konferencës me kryeministrin shqiptar, Hoti do të takohet me presidentin Ilir Meta dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në dy takime të ndara.

Hoti do të pritet edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kreu i opozitës në Shqipëri Lulzim Basha.

Avdullah Hoti ka shkuar në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Edi Rama, derisa ky i fundit në fillim të kësaj jave ishte në një vizitë dyditore në Prishtinë ku po ashtu takoi liderët shtetërorë dhe ata partiakë.

Veçse Rama tha se erdhi në Prishtinë për t’u informuar më shumë dhe nga të gjithë lidhur me propozim-aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dy udhëheqësit e UÇK-së Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Konkurs Pune

Lexo më shumë