Lajmet e fundit

Edhe në këtë muaj rozë, sikurse viteve të kaluara, klinika Onkologjike priti në vizitë funksionarët e shtetit, deri në nivel presidence.
U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, bashkë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, dhe aktivisten prej dekadash të kësaj kauze, Nafije Latifi, dhuruan në shenjë simbolike pako onkologjike për gratë me kancer të gjirit, raporton Klan Kosova.
Nga aty u theksua se rezultatet e diagnostikës kanë ndryshuar dukshëm për të mirë. Derisa dikur kjo ishte vështirë e besueshme, tani 52% e rasteve u zbuluan në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes.
Megjithatë, sfide mbetet numri i vogël i onkologëve. Aktualisht janë 4 specialistë të rinj që ende janë të papunë formalisht, mirëpo të angazhuar së fundmi me pagesë veç për kujdestari. Mungesa e kodeve të lira buxhetore thanë se po e vështirëson këtë proces.
Drejtuesi i Onkologjisë tha se janë duke punuar edhe në avancimin e shërbimeve për përgatitjen e terapive.
Tetori që shënon muajin e ndërgjegjësimit të luftës ndaj kancerit të gjirit aktivizon të gjitha komunat për ofrimin e mamografisë falas për vajzat dhe gratë. Ky shërbim ofrohet edhe për burrat, ndonëse rastet te ata janë shumë më të rralla.