Në hollin e Kuvendit ekspozohen dy piktura të piktorit Haki Xhakli

Në hollin e Kuvendit ekspozohen dy piktura të piktorit Haki Xhakli

NULL NULL
1 muaj më parë

Me iniciativën e deputetit Elmi Reçica, sot në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë ekspozuar dy piktura të piktorit Haki Xhakli, në të cilat trajtohet tema e të pagjeturve dhe ajo e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Elmi Reçica çmoi lart figurën e profesorit Haki Xhakli, duke vlerësuar se pikturat kanë nivel të lartë artistik.

Duke e cilësuar si rast të veçantë ekspozimin e tyre në ambientet e Kuvendit, Reçica tha se ato pasqyrojnë historinë e luftës sonë të fundit.

“Unë si deputet i kam parashtruar një kërkesë Kryesisë së Kuvendit, e cila e ka miratuar. Këto dy vepra, shumë të çmuara dhe shumë domethënëse, janë pasqyrim i një historie të cilën e kemi kaluar. Nëpërmjet tyre dëshmohet se kush është vrarë, masakruar dhe dhunuar”, theksoi Reçica.

Duke e falënderuar Kuvendin që ka lejuar ekspozimin e punimeve të tij, piktori Haki Xhakli tha se ekspozita trajton të pagjeturit dhe gratë e dhunuara, tema këto që sipas tij, preokupojnë shoqërinë tonë.

“Në këto piktura kam paraqitur ndjenjën time për gratë e dhunuara gjatë luftës, brengë e imja kjo, e cila më ka shtyrë deri te realizimi i tyre. Unë besoj fuqishëm që të gjithë do të angazhohemi që të pagjeturit të vijnë në shtëpitë e tyre”, theksoi Xhakli.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra punimet e cilësoi të një rëndësie të veçantë, për shkak, siç tha ajo, temave të trajtuara, duke kërkuar gjithashtu që këto tema të trajtohen edhe më tej nga politika e Kosovës.

“Viktimat e dhunës seksuale dhe të pagjeturit preokupojnë shoqërinë kosovare, prandaj duhet të kontribuojmë që këto tema të trajtohen edhe më tutje nga politika në Kosovë”, theksoi ajo.