11:59, 22 Nëntor 2019

Në Gjykatën e Apelit është duke u mbajtur seanca për rastin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani, të cilën nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Seanca është duke u mbajtur nga kolegji i Apelit, i kryesuar nga gjykatësi Vaton Durguti dhe anëtarët Burim Ademi si gjykatës referues dhe gjykatësi Ferit Osmani, gjatë së cilës do të dëgjohen pretendimet e prokurorisë dhe të akuzuarve, lidhur me vendimin e shkallës së parë për këtë rast.

Ky rast është duke u monitoruar nga monitoruesit e “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, më 24 prill 2019, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Për këtë vepër penale, Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër, Gani Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.

Ata janë obliguar edhe në shpenzimet procedurale si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 400 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Më 15 qershor 2016 ishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet./Betimi për Drejtësi/.

Konkurs Pune

Lexo më shumë