Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Në 10-vjeorin e themelimit, UKZ-ja bëhet me Himn

NULL NULL
09.03.2023 18:21
ukz haxhi zeka gjilan

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar sot 10-vjetorin e themelimit.

Fillimisht janë intonuar himni Kombëtar, ai i Kosovës dhe himni akademik Gaudeamus nga kori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ndërkohë, pikërisht në 10-vjetorin e themelimit është promovuar edhe Himni i UKZ-së, të cilin e ka interpretuar Kori i UKZ-së.

Kjo është bërë e mundur pasi Senati i UKZ-së ka marrë vendim dhe ka miratuar Himnin e UKZ-së, të propozuar me tekst dhe muzikë nga Profesoresha Drita Kryeziu.

Më pas të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti Rektori Bajram Kosumi. Ai ka thënë se këto dhjetë vite janë një kohë e mjaftueshme për të parë dallimin e madh midis asaj që duam të bëjmë dhe mundësisë për të bërë.

“Nëse dekada e parë është dekada e besimit të madh te universiteti dhe ndërtimi i tij, dekada në të cilën po hyjmë do të jetë dekadë e shkencës në të mirë të publikut”, tha Rektori Kosumi, teksa shtoi se universiteti i shërben shkencës, por shkenca ka kuptim vetëm kur është në të mirë të njerëzimit.

“UKZ do të fokusohet në këtë drejtim: të gjenerojë shkencë, pra informata, të dhëna, analiza, përfundime, rekomandime etj., të cilat do të jenë në dobi të shoqërisë, të ekonomisë dhe të sistemeve tona shtetërore”, citohet të ketë thënë Kosumi.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ilir Gjinolli, ka uruar pjesëmarrësit për dekadën e parë të themelimit të UKZ-së. Ai ka thënë se “këto 10 vitet e para kanë qenë vitet e ndërtimit të themeleve të universitetit, kurse në 10 vitet e ardhshme duhet të punojmë në zhvillimin strategjik, duke tentuar që ta ndërtojmë identitetin e universiteti”.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna e cila mori pjesë në këtë organizim, theksoi se ndjehet e nderuar të jetë pjesë e ngjarjeve ku shënohen të arriturat e Universitetit nëpërmjet një rrugëtimi shpesh edhe sfidues, duke shtuar se rastet e tilla na kujtojnë rëndësinë e angazhimit të përbashkët në arritjen e qëllimeve të mëdha. Ajo tha se Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është universitet i ri, por që ka potencial shumë të madh dhe se Kosova ka nevojë për institucione të tilla.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni uroi të gjithë për jubileun e parë të themelimit të UKZ-së. Ai tha se Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është tempull i dijes. “Ngado që shkojmë nëpër institucione, aty ka që punojnë studentë të cilët kanë diplomuar në UKZ dhe kjo është shumë e mirë. Që nga themelimi është dashur të fillohet nga zero ndërsa tani ka profesorë në një numër të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë kreu i Gjilanit.

Hyseni ka thënë po ashtu se së bashku me Ministrinë janë duke punuar që shumë shpejt ta konkretizojnë punën e kampusit të universitetit, i cili sipas tij do të krijojë hapësirë më të mirë të mësimit të studentëve.

Në vazhdim Rektori Bajram Kosumi ka dhënë diplomën “Student i Dalluar” për nga një studentët me notën më të lartë mesatare në secilin fakultet.

Në Fakultetin e Edukimit, diplomën studente e dalluar e ka marrë Albina Behluli. Vlerë Avdiu ka marrë diplomën studente e dalluar në Fakultetin Juridik, në Fakultetin Ekonomik Alena Shabani ka marrë diplomën student i dalluar, kurse në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike diplomën studente e dalluar e ka marrë Dafina Keqmezi. E Hekuran Salija ka marrë diplomën student i dalluar në Fakultetin e Shkencave Aplikative.

Ne emër të këtyre studenteve ka folur studentja Albina Behluli, e cila ka falënderuar rektorin për ndarjen e mirënjohjeve, dekanët e fakulteteve dhe të gjithë stafin akademik e administrativ të cilët tha se ishin pjesë e pandashme e rrugëtimit të dijes.

Kurse në bazë të vendimit të Këshillit Shkencor të Universitetit dhe pas konkursit, Profesori i Asocuar Ekrem Halimi është shpallur Hulumtuesi i Vitit 2022. Profesori Halimi ka 3 punime të publikuara në skopus-Q1, Q2, tri konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtarë dhe punimet e tij janë cituar nga 14 hulumtues ndërkombëtar.

Po ashtu gjatë manifestimit të 10- vjetorit të themelimit të UKZ-së, Rektori Bajram Kosumi, pas propozimeve të Këshillave të Fakulteteve, ka ndarë mirënjohje për kontribut akademik për profesorët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Nerxhivane Krasniqi, Fadil Osmani, Xhevat Sopi, Lindita Nebiu dhe Xhevdet Thaqi. Në emër të tyre, një fjalë falënderuese e ka mbajtur profesoresha Nerxhivane Krasniqi e cili ka uruar të pranishmit për 10- vjetorin e themelimit.

Kurse për kontributin e dhënë në zhvillimin e punës dhe administratës së Universitetit, Rektori Bajram Kosumi i ka dhënë mirënjohje Fitore Malajt, drejtoreshë e zyrës për zhvillim akademik dhe cilësi.

Po ashtu Rektori Kosumi u ka dhënë mirënjohje atyre që kontribuuan në themelimin dhe zhvillimin e UKZ-së.

Mirënjohje postmortem u ndanë për kryesuesin e Këshillit Themelues dhe ushtruesin e detyrës së Rektorit Arben Dërmaku për kontribut në themelimin e universitetit Publik “Kadri Zeka”, e cila iu dorëzua bashkëshortes së tij, Merita Dërmakut.

Ndërkaq mirënjohje i ka dhënë edhe Këshillit themelues të UKZ-së, në përbërjen e të cilit ishin: Arben Dërmaku, Naim Syla, Ilmi Rmadani, Fitore Malaj, Avdullah Alija, Qemajl Mustafa, Sabri Tahiri, Behlu Brestovci dhe Blerim Kamberi, për kontribut në themelimin e Universitetit.

Mirënjohjen në fjalë është pranuar nga Ilmi Ramadani, e cila më pas i është dorëzuar UKZ-së për të qëndruar si aset i përhershëm. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.