Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është pyetur nëse do ta mbështesë deklaratën e propozuar nga PDK lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që do shqyrtohet si pikë e rendit të ditës të hënën në Kuvend.
Gërvalla tha se Qeveria ka pranuar kërkesën e PDK-së dhe se aktualisht po analizon mekanizmat përmes të cilëve do të trajtohet kjo çështje.
“Ne e kemi marrë një kërkesë nga PDK dhe tashmë disa ditë po e analizojmë se cilat janë mekanizmat funksionalë dhe cilat do të ishin eksperimentalë. Po analizojmë mekanizmat për deklaratën e Kuvendit për Specialen”, ka deklaruar Gërvalla.
Duke folur për propozimin e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Gërvalla tha se kjo çështje kërkon ekspertizë të lartë.
“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ajo.
Ajo ka bërë të ditur se qëndrimi i Qeverisë do të bëhet publik të hënën, duke theksuar se do ta mbështesë atë qëndrim, sikurse edhe kolegët e saj në Qeveri.
“Patjetër të hënën, pra pasnesër, si gjithë kolegët e mi, përkrah qëndrimin që Qeveria do të marrë lidhur me këtë deklaratë. Ky personalizimi i fjalëve, i qëndrimeve apo deklarimeve të anëtarëve të Qeverisë më duket krejt i panevojshëm, sepse ne jemi një trup kolektiv dhe deri sot kemi dëshmuar se veprojmë si të tillë”, ka deklaruar Gërvalla. /Klankosova.tv