Lajmet e fundit

Shkruan: Rina Mujku
Se politika e diplomacia kanë qenë shterpe para Aktgjykimit të shkallës së parë që dënoi me 81 vjet burgim katër krerët e UÇK-së, dihet. E përfshij këtu edhe politikën duke parë mbi çfarë baze janë dhënë verdiktet. Por që po vazhdon të jetë e tillë edhe më, s’ka diskutim.
Për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, i bie se deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet fillimisht “të marrin leje” nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe Bashkimi Evropian. Po, po!
Me marrëveshjen ndërkombëtare të 2014-ës, Kosova ka pranuar që të konsultohet me autoritetet kompetente të Bashkimit Evropian para se të ndryshojë apo plotësojë ligjet që kanë ndikim në proceset që derivojnë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetimore.
Për këdo që mendon se kjo është ndërhyrje në kompetencat e deputetëve, Dhoma Kushtetuese e Speciales e ka dhënë qëndrimin e saj edhe për këtë.
Një vendim i Vidar Stensland, kryetar i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës Speciale thotë kështu: “Është e vërtetë që kërkesa për t’u konsultuar gjatë procesit të amendamentimit të ligjeve vendore respektive të Kosovës mund të duket në një farë forme si pengim i ushtrimit të kompetencave legjislative nga autoritetet vendore. Sidoqoftë, një pengesë e tillë është në pajtim me delegimin e disa kompetencave të pavarura për funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së sipas letër-këmbimit të 2014-ës. Për më tepër, sa u përket Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kërkesa për konsultime garanton funksionimin e tyre efektiv, të pavarur dhe të sigurt.”
Ky hap veçse është praktikuar më herët nga ish kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Kur ish presidenti Hashim Thaçi pati dorëzuar për miratim plotësim-ndryshimin e amendamenteve kushtetuese që rregullonin mandatin e Gjykatës Speciale, ish kryekuvendarja Osmani, para se t’i procedonte ato për votim, më 18 shtator 2020 i shkruajti kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, për të bërë një vlerësim nëse ato ishin në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara sipas kapitullit II të Kushtetutës.
Trendafilova, përveç Prokurorisë dhe Avokatit të Popullit të Speciales, u kërkoi mendimet e tyre me shkrim edhe ish përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borell dhe ish kreut të EULEX, Lars Gunnar Wigemark.
Të dy ishin përgjigjur në kërkesën e Trendafilovës për komente, por jo edhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Publike është përgjigja e ish drejtuesit të EULEX që thoshte se Thaçi kishte abuzuar me pushtetin duke dorëzuar amendamentet pa u konsultuar me të.
Gjykata e pati konsideruar të pranueshme për shqyrtimi kërkesën sepse ishte dorëzuar nga një palë e autorizuar, në këtë rast ish kryetarja e Kuvendit, mirëpo pati hedhur poshtë amendamentet e propozuara kushtetuese sepse nuk e përmbanin edhe referencën e ligjit për marrëveshjen ndërkombëtare të 2014.
Pyetja është nëse tani, kryetarja e Kuvendit, edhe u.d e presidentes, apo Qeveria e Kosovës u kanë kërkuar mendim palëve të sipër-përmendura për ndryshimet e dorëzuara nga PDK.